Haradinaj tha se puna e Maxhunit ka qenë e mrekullueshme

Haradinaj tha se puna e Maxhunit ka qenë e mrekullueshme

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka komentuar dorëheqjen e drejtorit të AKI-së, Shpend Maxhuni, punën e të cilit e ka vlerësuar me notë të lartë.

Haradinaj duke treguar arsyet e dorëheqjes së Maxhunit, që siçtha janë për shëndetësore, shtoi se puna e tij ka qenë e mrekullueshme si drejtor i AKI-së.

“Unë e di që ka pikëpamje të ndryshme për secilin prej nesh për etapa të ndryshme të jetës tonë ose për detyrat që kemi kryer. Ju flas me kompetencë, Shpend Maxhuni si drejtor i AKI-së është lart me notën e vlerësimit, prej meje në këtë rast, por edhe prej dhe aleatëve që punojnë në tema të njëjta. Motivacioni i dorëheqjes së tij, është vendim personal i tij. Motivacioni, është për arsye shëndetësore, të cilin e respektoj. AKI ka zëvendës drejtor, edhe pse ende nuk e ka kryeinspektorin, por edhe detyrën e kryeinspektorit e ushtron një zyrtar më i lartë i Inspektoratit të brendshëm”, tha Haradinaj.

Kreu i AKI-së Shpend Maxhuni dje i ka dorëzuar dorëheqjen kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj, por nuk u patën bërë të ditura shkaqet e dorëheqjes., shkruan rtv21.tv

Dje për kontributin e dhënë në obligimet shtetërore dhe institucionale Haradinaj e ka dekoruar Maxhunin me Medaljen e Skënderbeut, me motivacionin për profesionalizëm dhe besnikëri në shërbim ndaj atdheut.

Gjatë këtij mandati, Qeveria e Kosovës është angazhuar pa ndalë në forcimin e rendit dhe ligjit në vend dhe institucionet e sigurisë. Në këtë angazhim, roli i  Maxhunit ka qenë i rëndësisë së veçantë dhe sot, AKI është një ndër institucionet më profesionale dhe më kredibile në vend dhe më gjerë”, shkruan Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

Shpend Maxhuni, që më parë ishte drejtor i përgjithshëm i policisë së Kosovës, u emërua në krye të AKI-së në muajin prill të vitit 2018. Maxhuni ishte emëruar në këtë pozitë pasi Driton Gashi, drejtori i AKI-së atë kohë, ishte shkarkuar pas dëbimit të 6 shtetasve turq nga Kosova në Turqi. / 21Media