Haradinaj flet për taksën ndaj Serbisë

“Ky veprim e ka delegjitimuar projektin e ndarjes së Kosovës”

Kryeministri në largim Ramush Haradinaj këmbëngul në mos heqjen e taksës ndaj mallrave serbe, duke thënë se kjo masë duhet të mbetet në fuqi deri në njohjen e vendit tonë nga Serbia.

Ai ka thënë se një vit më parë, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë një prej vendimeve më të guximshme që nga shpallja e pavarësisë, me vendosjen e tarifës prej 100% në mallrat e Serbisë, si masë ndaj fushatës agresive të shtetit serb.

Me këtë hap të rëndësishëm, shton Haradinaj, Kosova ka treguar se Serbia nuk mund t’i japë detyra dhe se miqve ndërkombëtarë iu është bërë me dije se nuk i nënshtrohen shtetit serb.

“Vendosja e tarifës ndaj mallrave serbe, prej nëntorit të vitit të kaluar, ka ndikuar po ashtu tej mase në fuqizimin e prodhuesve vendor. Në thelb, ky veprim e ka delegjitimuar projektin e ndarjes së Kosovës, që fshihej nën idenë e korrigjimit të kufijve. Kjo masë është dëshmuar strategjike dhe duhet të mbetet deri në njohje të shtetit të Kosovës”, shkruan Haradinaj në Facebook.

Back to top button