Haradinaj fton deputetët që mos ta dëmtojnë sistemin e drejtësisë

Haradinaj reagoi ndaj Komisionit Parlamentar për paga

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj reagoi pas dërgimit në Kuvend të projektligjit për paga, i cili bën nivelizimin e pagave në të gjitha institucionet publike.

E për këtë, Haradinaj sot u shpreh se ndihet i shqetësuar, siç deklaroi me paga të zvogëluara në sistemin gjyqësor e prokurorial.

“Policë, Prokurorë dhe Gjyqtarë të pavarur dhe të dinjitetshëm, do të thotë më shumë siguri dhe më shumë zhvillim ekonomik!  Në këtë mision, Qeveria e Republikës së Kosovës që në fillim të mandatit, vendosi për rritjen e pagave në këtë sektor, si pjesë e fuqizimit të sundimit të rendit dhe ligjit. Sot, jam i shqetësuar me vendimin e Komisionit Parlamentar, për të procesuar Ligjin për Paga, me ndryshimet në kundërshtim të misionit tonë, me paga të zvogëluara në sistemin Gjyqësor dhe Prokurorial”, shkroi Haradinaj në facebook.

Kryeministri ftoi Komisionin, Kuvendin dhe deputetët që, siç u shpreh ai, mos ta dëmtojnë sistemin e drejtësisë dhe të reflektojnë, duke u bërë bashkë në mbrojtje të sundimit të ligjit.

“Unë do të vazhdojë të luftoj për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve në të gjitha etapat – komision, diskutim e seancë, ashtu si kam luftuar e qëndruar deri më tash”, shkroi më tutje Haradinaj në facebook.

Ndërsa, kryetari i  Komisionit për Administratë Publike, Nait Hasani dje ka thënë se me projektligjin për paga hiqet paga e përjetshme e presidentit, kryeministrit, kryeparlamentarit, prokurorit të shtetit,  kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarit të Gjykatës Supreme./21Media

Back to top button