Haradinaj flet pas aksionit të policisë në veri

Haradinaj flet pas aksionit të policisë në veri

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas aksionit të gjerë të policisë në veri të Mitrovicës, ka deklaruar se bëhet fjalë për zbatimin e ligjit dhe asgjë tjetër. Haradinaj ka ftuar serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin.

“Me urdhër të Prokurorit, në gjithë Kosovën aktualisht është duke ndodhur një operacion policorë, i drejtuar ndaj individëve të përfshirë në kontrabandë, krim të organizuar dhe vepra të tjera kriminale. Disa prej personave të përfshirë në këto vepra janë zyrtarë doganorë, policë por edhe qytetarë të rëndomtë. Operacioni u zhvillua me sukses edhe në Komunat Veriore të Kosovës.  Si Kryeministër i vendit, konfirmoj se bëhet fjalë për zbatimin të ligjit dhe asgjë tjetër. Ftoj serbët e veriut ta ruajnë qetësinë dhe ta respektojnë ligjin!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Inspektoratin Policor mëngjesin e sotëm kanë ndërmarrë një aksion të gjerë, i cili ka rezultuar me arrestimin e disa zyrtarëve policor dhe disa qytetarëve. Policia bën të ditur se këtij operacioni policor i ka paraprirë një hetim disa mujor i IPK-së, PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtareve policor dhe të disa qytetarëve në; “Pjesëmarrje ose Organizim i Grupit Kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale si; “Kontrabandim me Mallra”, “Keqpërdorim i Pozitës Zyrtare”, “Dhënie e Ryshfetit”, “Tregti e Ndaluar” etj./21Media