Kryeministri premton se do të rikthehet shuma e mëparshme e pagesës

Kryeministri premton se do të rikthehet shuma e mëparshme e pagesës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim një grup të studentëve bursistë të Universitetit të Prishtinës, me ç’rast uljen e shumës së bursave e quajti si vendim të padrejt dhe garantoi se nuk do të ketë zvoglim të bursave.

Në këtë takim, të pranishëm ishte edhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ata shprehën shqetësimet e tyre përkitazi me zvogëlimin e bursave, për të cilat thanë se do të ndikojnë ndjeshëm në motivimin e studentëve të dalluar bursistë.

Haradinaj, e quajti të padrejtë këtë vendim të Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, derisa i garantojë studentët që do të bëjë çdo gjë që është në kompetencën e tij dhe të Qeverisë së Kosovës që t’ju ofrojë mbështetjen e duhur gjithë studentëve, duke theksuar se gjatë mandatit të tij, arsimi do të jetë prioritet për Qeverinë.

“Është i padrejtë vendimi për zvogëlimin e shumës së bursës. Ju garantoj se nuk do të ketë zvogëlim të bursave, përkundrazi bashkë me Ministrinë e Arsimit do t’i shqyrtojmë mundësitë dhe format të tjera që kjo shumë të rritet”, tha ai.

I pari i ekzekutivit Ramush Haradinaj në koordinim me ministrin e Arsimit, po ashtu kanë shprehur interesim që studentët e dalluar të kenë forma sa më të mira të stimulimit nga ana e institucioneve përkatëse, duke thënë se do të rikthehet shuma e mëparshme e pagesës.

Gjatë takimit, kryeministri tha se si Qeveri e kemi obligim që të krijojmë kushte sa më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit, në mënyrë që arsimi në Kosovë të jetë jo vetëm prioritet, por të arrihen rezultate konkrete.

Në një vendim të datës 27 dhjetor thuhet se bursat që do t’u shpërndahen studentëve për vitin akademik 2017/2018 do të jenë në shumën 500 euro. Kjo shumë vitin e kaluar ka qenë 600 euro, ndërsa vite më parë, shuma e një burse universitare ka arritur afro 1.000 euro./21Media