Takimi i Haradinajt me delegacionin gjerman

Takimi i Haradinajt me delegacionin gjerman

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, priti sot në takim një delegacion gjerman, të kryesuar nga Thomas Kreutzer. Pas takimit, Haradinaj tha se në këtë takim ai shpalosi planet konkrete të qeverisë për zhvillim ekonomik si dhe gatishmërinë për partneritet të qëndrueshëm dhe afatgjatë me Gjermaninë.

Në anën tjetër ai tha se mori konfirmimin e Gjermanisë për ta mbështetur Kosovën më tej në procesin e liberalizimit të vizave.

“Delegacioni më i madh gjerman që deri tani ka vizituar vendin, sot dha konfirmimin për thellimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës e Gjermanisë. I lumtur të pres anëtarët e Parlamentit nga CSU të Landit të Bavarisë, i kryesuar nga Thomas Kreutzer, me të cilët diskutuam për mundësitë e shumta ekonomike që ofron Kosova, për investimet direkte gjermane. Shpalosa para delegacionit gjerman planet konkrete të qeverisë për zhvillim ekonomik, rritjen e investimeve direkte dhe shpreha gatishmërinë tonë që në këtë drejtim të krijojmë partneritet të qëndrueshëm dhe afatgjatë me Gjermaninë. Rrugëtimi ekonomik i Landit të Bavarisë, duke qenë motor i rëndësishëm në gjenerimin e vendeve të punës, është shembull i mirë që Kosova duhet ndjekur, duke zbatuar në praktikë politikat për arsimin dual, mbrojtjen dhe mbështetjen e investimeve. E falënderova delegacionin gjerman, për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave, konfirmimin për këtë proces nga Ministri i Brendshëm Seehofer, i cili vie po nga Bavaria, duke u zotuar se lëvizja e lirë e qytetarëve tanë, do t’i shërbej frymës së këtij bashkëpunimi ekonomik dhe fuqizimit të partneritetit Kosovë – Gjermani.”, tha Haradinaj.

Në shtator për vizitë në Kosovë ka qëndruar edhe deputeti i Bundestagut, Peter Beyer. Edhe Beyer e konfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për Kosovën për procesin e liberalizimit të vizave./21Media