Haradinaj i tregon Hahnit arsyen e ngritjes së taksës ndaj mallrave serbe

Kryeministri ka pritur në takim komisionarin Johannes Hahn

Kryeministri Ramush Haradinaj ia ka bërë me dije komisionarit Evropian për Zgjerimit, Johannes Hahn se Kosova ka qenë e detyruar të ndërmarrë vendosjen e taksës prej 100 përqind ndaj mallrave serbe, pas pengesave të vazhdueshme që i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë vendit tonë në vazhdimësi, Serbia.

Haradinaj gjatë takimit me Hahn ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për rrugën e integrimeve evropiane, për prioritetet në sundimin e rendit dhe të ligjit, përmbushjen e prioriteteve që dalin nga MSA, dhe për zhvillimin ekonomik.

Ai ka vlerësuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian, duke kërkuar heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, pasi me këtë do t’i hapej mundësi e mirë qytetarëve dhe bizneseve dhe Kosova do të jetë partner serioz për BE-në.

Haradinaj ka thënë se të gjitha institucionet e Kosovës janë të përkushtuara në zbatimin e reformave dhe të prioriteteve dhe me këtë po dëshmojnë se integrimi evropian dhe avancimi i proceseve demokratike në vend është prioritet.

Në takim është biseduar edhe për procesin e dialogut me Serbinë.

Qeveria e Kosovës nga 21 nëntori i këtij viti ka miratuar vendimin për ngritjen e taksës në 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe BeH. Ky vendim ngjali shumë reagime edhe nga bashkësia ndërkombëtare ndërkohë serbët në veri të Mitrovicës kanë protestuar disa herë kundër kësaj takse.

Back to top button