Haradinaj i vendosë 5 kushte BE-së për heqjen e taksës

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kërkojnë pezullimin e taksës

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, u ka dërguar një dokument ambasadorëve të Quintit dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë, duke u treguar se taksën do ta largojë vetëm në rast të plotësimit të disa kushteve.

Nga kushtet e cekura në dokument janë inicimi i një konference ndërkombëtare ku do të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, që duhet të përfundojë brenda 14 ditëve të konferencës, shkruan rtv21.tv.

Haradinaj kërkon nga SHBA-të dhe BE-ja që të garantojnë se në konferencë nuk do të ketë rivendosje, ndarje, apo shkëmbime territoriale të çfarëdo natyre, dhënie të kompetencave për krijimin e asociacionit të komunave serbe, ndërsa nga BE-ja kërkon që të japin zotime që garantojnë hyrjen në fuqi të liberalizimit të vizave para konferencës, zbatimin e marrëveshjes për energji të arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, të garantohet se Serbia të largojë të gjitha barrierat jo-tarifore të shkaktuara ndaj lëvizjes së mallrave nga Kosova si dhe Presidenti, Kryeministri ose Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë konfirmojnë publikisht se janë ndaluar në mënyrë permanente të gjitha politikat dhe veprimet e çfarëdo lloji të drejtuara kundër aspiratave të Kosovës si shtet sovran.

Në rast të dështimit të përmbushjes të gjitha kushteve të cekura, kryeministri ka deklaruar se taksa do të rikthehet menjëherë në fuqi.

 

 

Kosova ka vendosur masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018 taksa ka hyrë në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete. Kundër kësaj takse janë shprehur Bashkimi Evropian e po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës./21Media

Back to top button