Demaj: UP, universitet elitar

Demaj: UP, universitet elitar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme është takuar me rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj, ku tha se kanë qëllim të avancojnë parametrat arsimor për studentët.

I pari i ekzekutivit të vendit tha se përveç përkrahjes që duan të ofrojnë si një Qeveri me kapacitete implementuese, ata duan edhe të avancojnë parametrat në arsim të lartë.

“Qëllimi i këtij takimi pune ka për qëllim pra parametrat, ka për qëllim vetëm parametrat, nuk vijmë për shkak të njerëzve, për shkak të rektorit apo për shkak tonin, vijmë për shkak të qëllimit që parametrat në arsimin e lartë janë obligim i ynë… Interesimi ynë është t’i avancojmë këta parametrat çoftë në qeverisje, si qeverisje në arsim të lartë, menaxhim, t’i avancojmë parametrat që atë e bëjmë përmes jush dhe vetëm përmes jush në plan program korrikul, fillimisht të kemi parametra të avancuar për klientin, klienti i juaj i ynë është fëmija jonë…. vijmë me ofruar edhe këtë përkrahje pra si një Qeveri që ka kapacitet implementues rektoratit, universitetit, universiteteve që i kemi në vend dhe veçanërisht klientit në këtë rast që është studenti”, tha ai.

Ndërsa, rektori i UP-së, Marajn Demaj në takim me kryeministrin deklaroi se janë të përkushtuar ta zbatojnë planin strategjik dhe brenda 10 viteve UP ta bëjnë universitet elitar në rajon dhe gjerë.

“Të gjithë jemi të përkushtuar që planin strategjik  i cili është pjesë e jetës tonë ta zbatoj në mënyrë që Universitetin e Prishtinës siç iu thash ta bëjmë një universitet brenda 10 vitesh jo vetëm elitar në rajon por edhe më gjerë“, tha ai.

Haradinaj për Ministrinë e Inovacionit, tha se ka për qëllim nxitjen e të arriturave inovative në vend dhe nuk do të ndërhyjë në kompetencat e Ministrisë së Arsimit.

Ndryshe, kryeministri i vendit gjatë ditës së sotme në ambientet e rektoratit të UP-së ka takuar edhe rektorët e të gjitha universiteteve publike të Kosovës, si dhe dekanët e UP-së.