Sipas tij, duhet të punohet më shumë në këtë drejtim

Sipas tij, duhet të punohet më shumë në këtë drejtim

Për nder të ditës së gruas, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë pjesë në konferencën Forumi Multietnik të lidershipit të grave të reja në Kosovë. Me këtë rast, ai ka thënë se pozita e grave në Kosovë ka përmirësime, mirëpo duhet të punohet më shumë që ato të avancohen.

Kreu i Qeverisë ka thënë se me anë të kësaj dite të veçantë duhet të jetë fokus që gratë në Kosovë të emancipohen në të gjitha etnitë. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se 40 përqind e grave janë të punësuara në sektorin  publik, mirëpo pavarësisht kësaj siç ka thënë ai, ka shumë punë për të avancuar rolin e grave në Kosovë.

“Kosova nuk qëndron shumë keq me ligje, norma, por ajo që duhet të punojmë është që të zbatohen ato”, ka thënë Haradinaj.

Sa i përket ligjit për regjistrimin e pronës tek dy bashkëshortët, ka thënë se ka avancime për dallim nga vitet e kaluara.

Ndërsa, ambasadori i Francës, Dider Chabert ka thënë se për të pasur një shoqëri më progresive është me rëndësi që të drejtat e grave të jenë të avancuara dhe të punojnë çdo ditë që ato mos të shkelen. Sipas tij, për të pasur një shoqëri të hapur dhe të barabartë, është qenësore dhe njerëzore që vlerat e femrave të jenë sa më të paraqitura në shoqëri kosovare.

“Është e rëndësishme që bota të jetë më e barabartë qoftë për të gjitha femrat qoftë nga origjina e tyre, të ketë të drejtë që t’i realizojnë gjitha të drejtat që ju takojnë “, ka thënë ai.

Ish deputetja, Njomza Emini ka thënë se historikisht gratë kanë qenë të pa privilegjuara dhe se nuk asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e vendimmarrjes. Mirëpo, tash sipas saj është koha që gratë të ngrisin zërin e tyre karshi të drejtave që ju takojnë dhe potenciali i tyre të jetë më i madh.

Kurse, drejtoresha e organizatës që i mbron të drejtat e grave, Mimoza Gavrani ka thënë se sot më shumë se kur është dita që zëri i gruas duhet të ngritet lart. Më pas u vazhdua me panelin tjetër të diskutimit, ku deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu ka thënë se nevojitet më shumë pune për të drejtat e grave. Sipas saj, përfshirja e grave në partitë politike është e pjesshme.