Sipas Haradinajt, pikëpamjet e Mikiqit kanë qenë të papranueshme

Sipas Haradinajt, pikëpamjet e Mikiqit kanë qenë të papranueshme

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka folur sot rreth shkarkimit të zëvendësministres serbe të Drejtësisë Vesna Mikiq, për shkak të deklarimeve se bombardimet e NATO-s ndaj forcave gjakatare serbe ishin “gjenocid”.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kreu i Ekzekutivit i quajti të papranueshme deklaratat e Mikiq, sa i përket intervenimit të NATO-s mbi Serbinë për shkak të gjenocidit që kjo e fundit kreu kundër popullsisë së pafajshme shqiptare.

“Në përgjithësi jemi në dijeni që ka pikëpamje të ndryshme, por ato identifikuese që kanë qenë nga zëvendësministrja kanë qenë të papranueshme“, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë ditës së djeshme ka shkarkuar zëvendësministren në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq, e cila para disa dite kishte deklaruar se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb.

Me anë të një postimi në Facebook, Haradinaj kishte theksuar se në Qeverinë e Kosovës nuk kanë vend individët që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike. /21Media