Sipas Reçicës, rritja e pagës minimale do të ketë ndikim në mbulimin e kostos jetësore

Sipas Reçicës, rritja e pagës minimale do të ketë ndikim në mbulimin e kostos jetësore

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pranoi që ende përballen me sfida me korrupsion dhe rend e ligj.

Por sipas tij, këto probleme kanë ekzistuar edhe më parë në kohën e qeverive paraprake. Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku është i thirrur në interpelancë për pagën minimale, shefi i Qeverisë tha se është i interesuar të rrisë pagën minimale në Kosovë.

Kryeministri kërkoi nga deputetët që të ruajnë një kredibilitet të diskutimit, meqë siç tha ai, nuk është fajtor për krejt çka ka ndodh prej vitit 2011 deri tani, lidhur me sektorin privat.

E pranoj që kemi sfida me korrupsion, sfida të tjera me rend dhe ligj, nuk janë të sotit besoj, të gjithë e dimë që ato kanë ekzistuar edhe në kohë të Qeverisë paraprake, kjo nuk është një amnisti për këtë qeveri, ne duhet me u përballë me korrupsionin. Por nëse dikush do me më bind mua, ose zonja ministre ose një ministër që në qeverinë Mustafa nuk ka pas korrupsion, nuk mendoj që është mirë me fol ashtu, jo se ka pas, nuk e di a ka pas se me pas shkoj në prokurori, por kur të ka korrupsion është prokuroria, janë gjykatësit, vet prokuror nuk jam dhe nuk kam qenë ndonjëherë, por po dua t’ u them ju lutem merrni këtë temë ta kryejmë së bashku. Unë jam i interesuar ta kryej,  i kemi kryer edhe disa tema të tjera, edhe besoj shumë që sipërmarrësit do të na kuptojnë”, tha ai.

Haradinaj tha se nuk synojnë të dëmtojnë sipërmarrësit, të cilët me vështirësi i japin pagat për punëtorët. Tutje, ai tha se është më rëndësi edhe rritja e zbatimit të ligjit në punë, dhe të drejtat e punëtorëve.

Deklarimi i kryeministrit erdhi pas atij të deputetes së LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se vit pas viti është shtypur sektori privat në vend dhe janë rritë pagat e sektorit publik me qëllim të fitimit të votave. “Me luftu korrupsionin, kështu u ndihmojmë ndërmarrësve, mos me i rritë pagat tona pa spas rritje ekomomike sepse kështu po u vjelim atyre fitimin për me shfrytëzu për privilegje tona, stop këtyre dukurive”, tha ajo.

Bajrami tha se nuk duhet të trajtohen këto çështje me populizëm.

Ndërkaq, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica tha se menjëherë nesër, pasi të konstituohet Këshilli Ekonomik Social do të fillojnë negociatat dhe do të dërgojnë në Qeveri propozimin për rritjen e pagës minimale.

Sipas tij, rritja e pagës minimale në Kosovë është e domosdoshme për shkak të rritjes së kostos jetësore që ka ndodhur në vend.

“Pas miratimit të propozimit nga ana e këshillit ekonomik social, në fund të vitit 2017 pak ditë pas kompletimi të materialeve, të njëjtin material e kam përcjellë në qeveri. Dua të jem shumë i hapur, ka pasur hezitime se propozimi i KES-it për pagën minimale do të ketë implikime ligjore dhe buxhetore. Të njëjtat jam përpjekur maksimalisht t’i sqaroj që nuk ka implikime ligjore, bazuar në opinion ligjor të departamentit ligjor të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Hezitimet kanë vazhduar dhe kjo është arsyeja që ende ai propozim i KES-it i marrë në fund të vitit 2017 të mos renditet për miratim në mbledhje të qeverisë”, tha ai.

Sipas Reçicës, rritja e pagës minimale do të ketë ndikim në mbulimin e kostos jetësore,  e cila do të ndikonte drejtpërdrejtë në rritjen e mirëqenies qytetare në vend.

Seanca e Kuvendit të Kosovës me pika tjera do të vazhdojë në orën 14:15.

________________________________________________________

“Paga minimale duhet të rritet çdo vit”

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi sot në Kuvendin e Kosovës ka deklaruar se paga minimale është dashur të rritej deri tani, dhe publiku duhet ta di pse nuk ka ndodhur kjo rritje.

Në seancën e Kuvendit ku në interpelancë është kryeministri Ramush Haradinaj, dhe po diskutohet për pagën minimale, Sherifi tha se nuk ka logjikë të diskriminohen punëtorët për shkak të moshës, derisa kryejnë të njëjtën punë.

Në ligj duhet të futet një automatizëm, të mos u lihet mundësive abuzive siç janë bojkotimi i këshillit ekonomik social sepse e dimë që një kohë është bojkotuar nga akterë të ndryshëm, të cilët kanë konsideruar se mund t’u preken interesat e tyre, por duhet të vendoset një nen ku me automatizëm rritet paga minimale që do të thotë me rritjen e shpenzimeve të kostos së jetesës, me inflacion apo të përdoret një çelës, kolegët ekonomisë, Avdullah Hoti, Safetja, e dimë më mirë si mund të gjendet një metodë përmes së cilës rregullohet kjo çështje me automatizëm”, tha ai.

Sipas tij, kjo çështje duhet të rregullohet sa më shpejt. Ai tha se paga minimale duhet të rritet çdo fillimvit.

Paga minimale në Kosovë nuk është rritur që nga viti 2011.

__________________________________________________________

Kollçaku: Pozitë e opozitë po pajtohen për shkelje të ligjeve në fuqi

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, në seancën ku po diskutohet për rritjen e pagës minimale, tha se në Kosovë ajo është e caktuar në mënyrë arbitrare, duke u klasifikuar edhe në bazë të moshës së punëmarrësve.

Sipas saj Kollçakut, caktimi i pagës minimale edhe për personat mbi moshën 35 vjeç tregon që në Kosovë ka deficit në kuptimin dhe interpretimin e konceptit të pagës minimale, meqë sipas saj personat mbi moshën 35 vjeç nuk do të duhej të prekeshin fare nga ky problem.

Ajo tha se pozitë e opozitë në Kuvend po pajtohen rreth shkeljeve të ligjit në fuqi.

 “Më vjen mirë që gjatë fjalimeve në Kuvend, opozita dhe pozita dakordohen për shkelje të ligjeve në fuqi, dhe mendoj që edhe në përfundim duhet të dakordohemi që çfarë duhet të ndërmerret për përmirësimin e situatës dhe korrigjimin e padrejtësive e në veçanti për korrigjimin e padrejtësisë tashmë mbi 9 vjeçare për mos rritjen e pagës minimale në Republikë ne Kosovës”tha ajo.

Kollçaku tha se qeveritarët janë kujdesur për rritjen e pagës së tyre, ndërkohë kanë lënë anash qytetarët duke mos e lëvizur fare pagën minimale.

Kurse, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi tha se paga minimale në Kosovë është diskriminuese dhe nuk mbulon nevojat elementare të punëtorit. Sipas saj ajo duhet të ndryshohet, dhe të bëhet edhe ndryshimi i modalitetit.

Në seancën ku po diskutohet për rritjen e pagës minimale, Kadaj-Bujupi tha se hap fillestar për pagën minimale duhet të jetë ndryshimi i modalitetit ku kufiri minimal i pagesës të zhvendoset në orën e punës.

“Hap fillestar sa i përket pagës minimale duhet të jetë ndryshimi i modalitetit. Paga minimale nuk duhet të njihet si e tillë por si pagesë minimale për orë pune, pra kufiri minimal i pagesës për këtë njësi të ketë orën e punës. Ndryshimi i modalitetit të pagës  minimale, pra kur kufiri minimal i pagesës të zhvendoset në orën e punës do të minimizojë manipulimet me kontratat e punës, do të nxitej respektimi i pagave shtesë ndërsa punëtorëve do të u mundësohet puna fleksibile përgjatë ditës”, tha ajo.

Ajo tha se duhet të ndryshohet baza që përcakton pagën minimale për orë pune sipas moshës, dhe  të ndryshohet rregullimi diskriminues që dallon pagesën minimale për orë punë për punëtorët nën moshën 35 vjeç. Sipas saj, kjo kategori duhet të ketë të njëjtin kufi minimal të pagesës për orë pune.

____________________________________________________________

“Rritja e pagave të Qeverisë e ka përkeqësuar situatën”

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për rritjen e pagës minimale, Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se elementi bazik që e ka përkeqësuar situatën është rritja e pagave për zyrtarët e Qeverisë. Sipas tij, çdo gjë që ka vënë në lëvizje negativisht ka qenë e iniciuar nga ky veprim.

Ky dallim edhe mes pagës mesatare në sektorin publik dhe sektorin privat duhet të harmonizohet në atë që është kërkesë elementare për jetë të qytetarëve në Republikë ne Kosovës. LDK do të ndihmojë në këtë proces ,do të jap edhe argumentet e veta dhe mundësitë e veta, që punëtoret qoftë në sektorin privat ,qoftë ata që kryejnë shërbime në sektorin publik sepse u potencua që paga në sektorin publik e ka një lloj trajtim të dinjitetshëm në raport me të tjerët, dhe të rregullohet pa përdorur mekanizma pa përdorur institucione të tjera që mund të lënë shije të hidhur siç ishte me sindikatat e arsimit dhe pagat e arsimtarëve”, ka thënë Zemaj.

Ndërkaq, Safete Hadergjinaj, deputete e PDK-së, ka thënë se nuk duhet të bëhet dallimi në moshë në pagën minimale.

Hadërgjonaj, ka deklaruar  se kur është përcaktuar paga minimale me ligj, në dy nivele, atë 130 dhe 170 euro, nuk ka qenë përcaktim i mirë.

Nëse duhet të përcaktojmë pagën minimale është mirë që mos të përcaktohet në dy nivele, por të ketë një pagë minimale. Nuk mund të bësh dallim në moshë ne të punësuarve që përcaktohet edhe paga minimale. Rregullimi ligjor i pagës minimale tek ne nuk ka kaluar pa debate në lidhje me atë se një detyrim rregullues i jep apo jo efektet pozitive. Ne kemi nevojë për një analizë të mirëfilltë për rritjen e pagës minimale”, tha ajo.

Sipas saj, në kushtet kur informaliteti është i lartë, rritja e pagës minimale mund të mos jep efekte pozitive dhe mund të sjell deri të shkurtimi i vendeve të punës.

____________________________________________________

Ymeri: Rritja e pagës minimale, masa e parë urgjente

Kuvendi i Kosovës po zhvillon punimet e seancës, në të cilën po diskutohet për rritjen e pagës minimale, diskutim ky në kuadër të një rezolute të paraqitur nga Partia Socialdemokrate, ku ka kërkuar që të rritet urgjentisht paga minimale në 250 euro, për të gjithë të punësuarit.

Visar Ymeri nga PSD, si prezantues i rezolutës ka thënë se rritja e pagës minimale në 250 është masa e parë urgjente që duhet të merret.

 “Rritja e pagës minimale në 250 euro është masa e parë urgjente, sipas ligjit paga minimale duhet të ndryshojë çdo vit, propozimi për niveli ne saj duhet të shkojë nga këshilli ekonomiko social tek qeveria, por qeveritë në vazhdimësi i kanë injoruar kërkesat e sindikatave dhe e kanë sabotuar dialogun social dhe po flas për të gjitha qeveritë që kanë shërbyer në Kosovë në mandate të ndryshme”, ka thënë ai.

Ymeri ka deklaruar se kjo rritje duhet t’i përfshijë të gjithë të punësuarit pa dallim moshe a gjinie. Po ashtu, ka shtuar se parimi pagë e njëjtë për punën e njëjtë, duhet përforcuar.

 “PSD propozon që ndarja moshore që parasheh ligji aktual dhe 130 euro pagë minimale për të rinjtë deri në 35 vjeç të hiqet menjëherë, pra të kemi një pagë minimale për secilin të punësuar pavarësisht çfarë moshe a çfarë gjinie i takon”, ka thënë ai.

Deputeti i PSD-së ka deklaruar se rritja ka efekt tek punëtoritë e sektorin privat. Ndërkohë, që sipas tij, niveli i ulët i pagës minimale i godet më shumë gratë.

PSD ka dorëzuar një rezolutë më 4 prill, për të cilën Ymeri ka deklaruar se është për tu diskutuar dhe dakorduar edhe me grupet e tjera parlamentare.

Ai ka bërë thirrje që Kuvendi të marrë vendim dhe të kërkojë nga këshilli ekonomik social që ta diskutojë edhe një herë dhe ta dorëzojë kërkesën në qeveri, përkatësisht të kërkojë nga kryeministri që sa më shpejtë të marrë vendim për rritje të pagës minimale.

____________________________________________________

Dërguti: Nuk kam qenë në SHIK, por në G2

Në këtë seancë deputetja e LVV-së, Aida Dërguti ka folur për të kaluarën e saj në luftë e po ashtu për deklaratat e ish kolegut të saj, Glauk Konjufca se ajo ka qenë në Shërbimin Informativ.

Ajo ka thënë se pas luftës, gjatë periudhës korrik-gusht ka qenë pjesë e G2 në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa SHIK është formuar më vonë në dhjetor.

Ajo ka kërkuar nga palët e përfshira në debat se kush ka qenë në SHIK që të ballafaqohen mes vete dhe t’ia sqarojnë opinionit këtë çështje.

Ky debat është i degraduar dhe ky debat ka qenë në mes PDK-së dhe LDK-së dhe  mendoj që pikërisht duke u marr me debate koti kemi anashkaluar problemi tjera si ajo e ngritjes së padisë ndaj Serbisë. I thash Glaukut atë ditë se më vjen keq që ke hyrë bë këtë debat. Vazhdon akuza se ne jemi ndarë për shkak se ka qenë investim i SHIK-ut dhe madje kjo është një zhvendosje e mendjes nga ajo që na ka ndodhur në të vërtetë. Në Vetëvendose ka njerëz që e gjuajnë gurin dhe e fshehin dorën në këtë aspekt mungon një ballafaqim i vërtetë në mes të Dardan Molliqajt dhe Albin Kurtit. Borxh opinionit ia kanë një ballafaqim në mes Albin Kurtit dhe Dardan Molliqaj”, ka deklaruar Dërguti.

Gjithashtu Dërguti, ka folur edhe për veprimtarinë e saj sa ka qenë në VV, duke thënë se çdo veprim e ka bërë me vetëdije.

_______________________________________________________________

Kuvendi mban një minutë heshtje për të vrarët në masakrën e Poklekut

Seanca e sotme, ka filluar me një minutë heshtje për viktimat e masakrës së Poklekut në Drenas. Kjo është bërë me kërkesë të deputetes së PDK-së Ganimete Musliu.

Sot në Poklek të Drenasit përkujtohet masakra më e tmerrshme që ka ndodhur në Republikën e Kosovës gjatë  vitin 1999 ku 54 anëtarë të familjes Muqolli bashkë me mysafirë që i kanë pasë prezentë janë pushkatuar, karbonizuar, dhe një lopatë hi është varrosur në një varr të përbashkët nga 54 anëtarë. Konsideroj që sot në këtë Kuvend, duhet të mbahet një minutë heshtje për të gjithë të rënët në Poklek”, ka thënë Musliu.

Seanca e paraparë të fillojë në orën 10:00, filloi rreth orës 10:30.