Haradinaj foli për përkushtimin e Kosovës për avancimin e bashkëpunimit rajonal me vendet e Ballkanit Perëndimor

Haradinaj foli për përkushtimin e Kosovës për avancimin e bashkëpunimit rajonal me vendet e Ballkanit Perëndimor

Në Samitin e Ballkanit Perëndimor, në sesionin e dytë, që ishte edhe përmbyllës i këtij Samiti, udhëheqësve të delegacioneve të vendeve anëtare të Procesit të Berlinit dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, iu është drejtuar Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e cila ka folur për “Samitin e Varshavës 2019” dhe ” E ardhmja e Procesit të Berlinit”.

Gjatë këtij sesioni, kryeministri Haradinaj foli për përkushtimin e Kosovës për avancimin e bashkëpunimit rajonal me vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa i është përgjigjur edhe kritikave të kryeministres së Serbisë, Brnabiq, duke thënë se Kosova është e përkushtuar për stabilitet ekonomik dhe politik në rajon, dhe në këtë drejtim është duke punuar fort për të zbatuar të gjitha marrëveshjet, dhe se pengesat dhe vonesat në zbatimin e tyre nuk janë të shkaktuara nga Kosova, por nga ana e Serbisë, thuhet në njoftimin e dërguar nga zyra e kryeministrit.

Pas përfundimit të sesionit të dytë të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, kancelarja Angela Merkel dhe kryeministrja Theresa May në një konferencë të përbashkët vlerësuan rëndësinë e Samitit të 5-të me radhë.

Kancelarja Merkel ka thënë se ky Samit është dëshmi e përkushtimit të vendeve të Evropës që t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe inkurajim për progres në të gjitha fushat.

Ndërsa, kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, tha se vendi i saj do të vazhdojë të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ky është Samiti i 5-të me radhë që mbahet për vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadër të Procesit të Berlinit, i iniciuar nga Kancelarja Angela Merkel.

Vendet pjesëmarrëse në këtë Samit kanë nënshkruar deklaratën e përbashkët me zotimet e qeverive të tyre në fushat e caktuara, si: marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, personat e zhdukur, krimet e luftës, të gjitha këto zotime që dalin nga Procesi i Berlinit./21Media