Haradinaj:Do të vazhdojmë me qenë bashkë

Haradinaj:Do të vazhdojmë me qenë bashkë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ministrat Rrustem Berisha, Abelard Tahiri, e Pal Lekaj, gjatë ditës së sotme, ka udhëtuar për në Shqipëri për të parë nga afër zonat e prekura nga tërmeti dhe për të shprehur gatishmërinë e institucioneve të Kosovës dhe gjithë popullit të saj se do të jenë pranë të gjithë qytetarëve të prekur nga kjo tragjedi.

Haradinaj ndalesën e parë e ka bërë te njësitet e FSK-së, Policisë së Kosovës dhe ekipet e Emergjencës nga Kosova, të cilët i ka falënderuar për gjithë angazhimin dhe për kujdesin e tyre për t’u dalë në ndihmë të prekurve nga kjo fatkeqësi natyrore.

Haradinaj, tha se  ndihet i nderuar që me një pjesë të kabinetit qeveritar në shoqërim të presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, janë sot në Durrës për t’i dhënë përkrahje të mëtejmë të gjithë të angazhuarve në përballimin e gjendjes. “Ne bashkëndjejmë me familjet, bashkëndjejmë për viktimat dhe me të gjitha ato vështirësi që i ka Shqipëria, bashkëkombësit tanë. Do të vazhdojmë me qenë bashkë. Është më rëndësi që të gjithë në Kosovë vërtetë bashkëndjejmë me të prekurit nga tërmeti”, u shpreh Haradinaj duke theksuar se njëkohësisht Kosova i ka në dispozicion të gjithë mekanizmat dhe se koordinimi është i nevojshëm për t’i bërë veprimet e duhura.

Për më shumë, kryeministri në detyrë Haradinaj, i siguroi të gjithë se Kosova nuk do të kursejë asgjë në këtë aspekt, dhe tregoi se ka një numër të caktuar të qytetarëve të Shqipërisë që janë në Kosovë, disa në familje private e hoteleri, e rreth 500 prej tyre tashmë janë vendosur në Parku Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, falënderoi për të disatën herë shtetin e Kosovës, popullin e saj,  institucionet, Qeverinë e Kosovës, kryeministrin Haradinaj, zëvendëskryeministrin Hoxhaj, ministrat dhe të gjithë përfaqësuesit e tjerë, në mënyrë të veçantë Forcat e Sigurisë së Kosovës që siç tha ai, kanë shkëlqyer me reagimin e menjëhershëm që në orët e para të përballimit të kësaj tragjedie dhe vazhdojnë të bëjnë më të mirën përkrah Forcave të tyre dhe në ndihmë të qytetarëve  që kanë vuajtur këto pasojat e tmerrshme.

“Ky solidaritet e ka bërë më të lehtë përballimin e këtyre pasojave të kësaj dhimbje. Për këtë z. kryeministër duhet të jeni krenar për Forcën e Sigurisë së Kosovës, policinë, sepse jam i sigurt që çdo vend i NATO-s do ishte krenar për më të mirën që ata e kanë shfaqur gjatë këtyre dy tre ditëve dhe netëve pa ndalim dhe pa u lodhur”, u shpreh presidenti Meta i cili po ashtu e falënderoi kryeministrin Haradinaj dhe Qeverinë për ndarjen e 500 mijë eurove për Shqipërinë.

Kryeministri në detyrë Haradinaj më pas ka vizituar disa nga zonat më të prekura nga ky tërmet, duke shprehur solidaritetin e popullit dhe të Qeverisë së Kosovës për familjet që humbën më të dashurit e tyre, por edhe për gjithë ata që prekën nga kjo fatkeqësi./21Media