Haradinaj: Kosovës duhet t’i dëgjohet e vërteta e saj

“Wieland e ka dëshmuar një interesim të posaçëm për Kosovën”

“Përkrahja e Gjermanisë, përkrahja e z. Wieland është e rëndësishëm në çështjen e liberalizimit të vizave. Ne jemi vend i vogël dhe e kemi të vështirë t’ua shpjegojmë Gjermanisë, Brukselit, të vërtetën tonë. Andaj, i kërkova z. Wieland ndihmën që të vazhdojë t’u tregojë të gjithëve të vërtetën e Kosovës”, kështu tha kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në konferencën për media, pas takimit me zëvendës presidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland.

Kryeministri Haradinaj, gjatë takimit e ka njoftuar z. Wieland edhe për prioritetet e qeverisë për vitin 2019, me theks në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës, për përmbushjen e reformave në përgjithësi, veçmas punën e madhe në miratimin e pakos së ligjeve që ndërlidhen me liberalizimin e vizave dhe përafrimin e vendit me BE-në, duke kërkuar nga ai mbështetjen e shtetit gjerman në procese të rëndësishme të konsolidimit ndërkombëtar të vendit, sidomos në procesin e liberalizimit të vizave.

“Wieland e ka dëshmuar një interesim të posaçëm për Kosovën. Kjo është vizita e tij e tretë në vendin tonë dhe ai ka shprehur interesim për shumë projekte të përbashkëta Kosovë-Gjermani, e një prej tyre është programi i shkëmbimit të nxënësve nga Kosova në Gjermani dhe anasjelltas”, tha kryeministri Haradinaj.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se angazhimi i Wieland është shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane për Kosovën.

“Kosova është një partner konstruktiv për Gjermaninë. Ne kemi treguar përkushtimin tonë maksimal për t’i adresuar të gjitha mundësitë për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik mes dyja vendeve. Jam i lumtur që sot, Wieland shoqërohet në Kosovë nga një delegacion gjerman që mund të hapë shumë horizonte të partneritetit ekonomik dhe ne jemi të gatshëm t’i marrim përgjegjësitë tona si Kosovë“, kështu tha kryeministri Haradinaj në takim.

Zëvendës presidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, tha se me kryeministrin Haradinaj kanë diskutuar për shumë çështje, veçanërisht për liberalizimin e vizave, duke theksuar se edhe ai ka votuar pro liberalizimit të vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian. Wieland tha se do të jetë mbështetës, që Kosovës të mos i shtohen kushte të tjera në këtë proces.

“Unë jam shumë i lumtur që Kryeministri e ka përkrahur projektin që mbështetë shkëmbimin e nxënësve mes Kosovës dhe Gjermanisë, projekt ky që për herë të parë është implementuar mes dyja vendeve“, tha ai, duke shtuar se kjo është një situatë të fitosh dhe prapë të fitosh, ku nxënësit mund t’i zgjerojnë njohuritë e tyre.
Në pyetjet e gazetarëve në konferencën për shtyp pas takimit, rreth idesë së korrigjimit të kufijve, z. Wieland tha se nuk është një hap i mirë ndryshimi i kufijve, dhe sipas tij kjo ide mund të sjellë gjëra problematike, sesa që sjellë arritje pozitive.

Për angazhimin e tij dhe përkrahjen për Kosovën, kryeministri Haradinaj i ka dhuruar z. Wieland hartën e artë të Kosovës, derisa zëvendës presidenti i Parlamentit Europian Rainer Wieland i dhuroi kryeministrit Haradinaj, një tren që për simbolik ka rrugën e re të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Baden Wuerttembergut.

Back to top button