“Me punën e mirë që e bëjnë shpresoj shumë se edhe KEDS dhe operatorët tjerë në Kosovë do t’i drejtohen Aulonës për produktet e saj"

“Me punën e mirë që e bëjnë shpresoj shumë se edhe KEDS dhe operatorët tjerë në Kosovë do t’i drejtohen Aulonës për produktet e saj”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një vizitë pune në ndërmarrjen prodhuese “Aulona” SHPK, në Gjakovë, e cila merret me prodhimin e motorëve elektrik, transformatorëve dhe gjeneratorëve. Në këtë vizitë kryeministri Haradinaj i shoqëruar edhe nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, është pritur nga pronari, Hamdi Krasniqi, me bashkëpunëtorë.

Kryeministri Haradinaj vlerësoi se vizita në fabrikën Aulona është një porosi, duke thënë se kjo fabrikë ka 30 vjet traditë dhe është ndër të parat në Kosovë, është vazhdim i asaj që është njohur si elektromotori Gorenje në Gjakovë dhe në tregje të botës.

Më tej, kryeministri Haradinaj ka vlerësuar punën e kësaj fabrike duke thënë se për një kohë të gjatë ka arritur t’i furnizojë dhe plotësojë kërkesat e KEK-ut, por që pas privatizimeve dhe marrjes se përgjegjësive në distribucion nga KEDS këta janë gjetur pjesërisht jashtë tregut por nuk janë dorëzuar dhe kanë depërtuar në tregun gjerman dhe fatmirësisht janë 25 punëtorë dhe janë krenar me produktin e vet.

“Me punën e mirë që e bëjnë shpresoj shumë se edhe KEDS dhe operatorët tjerë në Kosovë do t’i drejtohen Aulonës për produktet e saj për një traditë, për një garancë në kualitet dhe nuk besoj se ka produkt me kualitet më të mirë se kjo që e shohim ne, sepse bëhet nga duart e ekspertëve dhe me mbikëqyrje të pronarëve të cilët japin garancë”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka falënderuar kryeministrin Haradinaj për vizitën duke thënë se kjo është një porosi e jashtëzakonshme për bizneset të cilat kanë filluar të veprojnë më shumë, ta ndiejnë veten më të sigurt që të investojnë. “Kjo porosi e juaja do të jetë kontribut i jashtëzakonshëm për t’i ndihmuar bizneset”, tha kryetari Gjinaj.

Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Granit Krasniqi, falënderoi kryeministrin Haradinaj dhe kryetarin Gjini për vizitën në kompaninë e tyre, duke treguar se në këtë kompani bëhet prodhimin i transformatorëve distributive me vaj, dhe të induktorëve dhe transformatorëve të ndryshëm për një prodhues gjerman.

“Për momentin po prodhojmë ekskluzivisht vetëm për partnerin tonë gjerman dhe të gjitha materialet që vijnë nga gjermania rieskportohen prapë te partneri ynë. Ndihemi të nderuar për vizitën e kryeministrit dhe kryetarit dhe  shpresojmë që kjo vizitë do jetë vetëm një pikënisje për mbështetjen që do na jepet në të ardhmen e afërt”, tha Krasniqi, duke shprehur besimin se ndërmarrësia dhe prodhimi të jenë ardhmëria e Kosovës.

Paraprakisht, kryeministri Haradinaj ka vizituar komunën e Gjakovës, ku është pritur nga kryetari Ardian Gjini me bashkëpunëtorë, nga i cili u njoftua për zhvillimet në këtë komunë, punët, të arriturat dhe prioritetet e qeverisjes komunale.