"Masakra e Dubravës mbetet një nga krimet më monstruoze në Kosovë..."

“Masakra e Dubravës mbetet një nga krimet më monstruoze në Kosovë…”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përkujtuar 20-vjetorin e masakrës në burgun e Dubravës, ku ishin vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe ishin plagosur 200 të tjerë. Kreu i Qeverisë ka deklaruar se kjo masakër është një nga krimet më monstruoze që kishte kryer regjimi serb.

“Vrasja e 160 të burgosurve shqiptarë dhe plagosja e 200 të tjerëve në burgun e Dubravës, 20-vjet më parë nga forcat serbe është krimi më i egër kundër njerëzve tashmë të privuar nga liria. Masakra e Dubravës mbetet një nga krimet më monstruoze në Kosovë për të cilin askush nuk është gjykuar, edhe përkundër qindra dëshmitarëve të mbijetuar dhe dëshmive të pamohueshme. Është skajshmërisht e dhimbshme që edhe sot pas dy dekadash drejtësia nuk e ka kryer misionin e saj për të dënuar ekzekutorët e këtij krimi barbar. Mosdënimi i këtij krimi të përmasave gjenocidale dhe mohimi i tij është dëshmi se shteti serb nuk do të ballafaqohet me krimet e veta. Kosova nuk do të ndalet kurrë në kërkim të drejtësisë.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sot, Kuvendi i Kosovës në orën 11:00 mban seancë të veçantë në shënimin e 20 vjetorit të masakrës së kryer nga shteti serb në Burgun e Dubravës./21Media