Haradinaj thotë se minishengeni është vetëm zgjerim i influencës ruse dhe kineze në Ballkan

Haradinaj thotë se minishengeni është vetëm zgjerim i influencës ruse dhe kineze në Ballkan

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj u shpreh se nuk ka asnjë kuptim që të flitet për zgjedhje të reja në Kosovë, pasi duhet të implementohet rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit. Ai tha se vendit i duhet reformë zgjedhore dhe se duhet të përfundojnë këto ankesa.

“Zgjedhjet kanë qenë më të mirat të mundshme. Ne duhet të bëjmë reformë zgjedhore, t’i shkurtojmë këto kohë të ankesave. Është herët të flitet për zgjedhje të reja, duhet të rrimë në pozicionin e implementimit të rezultatit zgjedhor. Nuk ka kuptim të flitet për zgjedhje tash. Nuk është një ushtrim i thjeshtë dhe i lehtë. Duhet të jemi të respektueshëm të asaj që ka vendosur sovrani”, deklaroi Haradinaj.

Pas takimit me ministrin italian të mbrotjes, Haradinaj u shpreh sërish optimist për liberalizimin e vizave.

Ndërsa për minishengenin, Haradinaj u shpreh se minishengeni është vetëm zgjerim i influencës ruse dhe kineze në Ballkan.

“Liberalizimi është proces multilateral në këtë rast, Kosovë – Evropë. Kurse minishengeni është vetëm zgjerim për të cilin po na fton Vuçiqi, Edi Rama, edhe Zaevi. Është vetëm zgjerim i influencës ruse dhe kineze në Ballkan. Nuk është minishengeni interes i Kosovës, as i Evropës, as i vendeve tona. Rusia dhe Kina janë të instaluara në të gjitha aspektet në Beograd. Janë në ekonomi, janë në siguri, politikë. Kur ne bëjmë rregulla të njejta, me automatizëm kjo influencë e instalume në Beograd e Rusisë dhe Kinës, zgjerohet në vendet tona. A ka interes Kosova që mu zgjeru influenca ruse dhe kineze në Kosovë, natyrisht që ska. Liberalizimi është koncept tjetër, minishengeni nuk është në interes të proceseve euroatlantike, por ka për qëllim zgjerimin e influencës ruse në Ballkan, me epiqendër Beogradin.”, tha ai.

Dje u takuan presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ky ishte takimi i parë pas samitit të Ohrit.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev kishin zhvilluar një takim informal. Ky takim kishte zgjatur 120 minuta dhe është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik, si dhe lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve në Ballkan. Në arsyetimin e tij, Thaçi kishte thënë se Kosova nuk mund të jetë pjesë e një Samiti të tillë në te cilin marrin pjesë shtete, të cilat ende nuk e njohin realitetin e Kosovës së pavaruar./21Media