'Nëse zhvillohet kjo komunë, atëherë do të ketë perspektivë edhe për Luginën e Preshevës"

‘Nëse zhvillohet kjo komunë, atëherë do të ketë perspektivë edhe për Luginën e Preshevës”

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe njëherësh kandidat për kryeministër nga AAK-PSD, Ramush Haradinaj,  thotë se kundërkandidatët janë duke u nxituar për reciprocitet, ende pa marrë përgjegjësitë. Sipas tij, në këtë mënyrë Kosova po mbetet pa kundërvlerën e nevojshme, në mënyrë që të njihet nga Serbia.

Ai në një tubim elektoral me përkrahësit e koalicionit në komunën e Gjilanit, tha se nëse zhvillohet kjo komunë, atëherë do të ketë perspektivë edhe për Luginën e Preshevës.

“Nëse e zhvillojmë mirë këtë trevë,  që nga Vitia e deri në Dardanë, atëherë ne ndihmojmë perspektivën tonë, me Kumanovë prej Vitisë dhe njëkohësisht e forcojmë bashkëpunimin tonë me Luginën, dhe jo vetëm kaq, por e mundësojmë që zgjidhja për jetë nuk është vetëm ardhja në Kosovë, por edhe shkuarja në Medvegjë, Bujanovc e Preshevë për të zhvilluar jetën, që të punohet, siç ndodh anasjelltas”, tha Haradinaj.

Në këtë mënyrë tha se mundësohet depërtimi deri te Lugina e Preshevës, pasi siç tha ai, nuk është zgjidhje vetëm sjellja e banorëve në Kosovë.

Krahas kësaj, Haradinaj tha se kundërkandidatët e tij janë nxituar me deklarimet për reciprocitet ende pa marrë përgjegjësitë.

“Albin Kurti ishte këtu në Gjilan apo Lipjan dhe tha se taksa nuk është politikë e imja, Vjosa tha se e heq për pesë minuta, Kadriu tha se e suspendojë menjëherë. Shikoni, ne po mbesim pa instrumentet e nevojshme, pa kundërvlerën e nevojshme për marrjen e njohjes. Më 6 tetor ne ia mundësojmë Kosovës me votën për 119, për t’i ratifikuar vendimet e marra, mos të kthemi prapa edhe të mund të fokusohemi në punë”, ka deklaruar Haradinaj.

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti nga Gjilani është zotuar se  1/3 e ministrive në qeverisjen e ardhshme AAK-PSD do të jetë e udhëhequr nga gratë. Ai ka treguar se pse kanë përkrahur Qeverinë Haradinaj.

“U bëmë bashkë për dy arsye, jo për pushtet, sepse ne ishim edhe pushtet edhe opozitë, por u bëmë bashkë për interesin  e qytetarit të Kosovës, sepse mendojmë që kur rrezikohet shteti, atëherë të gjithë duhet të bëhemi bashkë. Dhe janë shumë pak momente kur njeriut i bie që të ketë guximin për të mbrojtur shtetin e vet, edhe atë me sakrificë të pozitës dhe karriges së vet. Ky ishte rasti i Haradinajt, kur për plot një vit përveç vendimit të ushtrisë, taksës, u detyruam që të  ballafaqohemi me presion të jashtëzakonshëm sa i përket ndarjes së Kosovës, jo për shkëmbim të territoreve, mos t’iu gënjejnë, por për ndarjen e Kosovës. Dhe kur erdhi momenti të vendoset a të ruhet karrigia e vet, a me vazhduar kryeministër, apo me mbrojt Kosovën, anëtari i Haradinajt e zgjodhën shtetin para interesit të tij personal”, tha Ahmeti.

Presionet për ndarjen e Kosovës, sipas Ahmetit do të shtohen gjatë vitit, e sipas tij vetëm AAK mund t’i rezistojë këtij presioni.

Kryetari i Degës së AAK-së në Gjilan, Rexhep Kadriu, tha se për dy vjet qeverisje, në Gjilan kanë investuar 170 milionë euro.

“Të tjerët për 20 vjet ishin në Parlament të Kosovës, 20 vjet në qeverisje, herë PDK, herë LDK, e herë dyja bashkë. E, i pyes se çfarë kanë bërë për qytetarët e Gjilanit, për kaq vite, për 20 vjet që kanë qeverisur me Kosovën”, tha ai.

Në programin e koalicionit AAK-PSD, Kadriu tha se është ndërtimi i pesë digave, njëra prej tyre i dedikohet Gjilanit për furnizim me ujë 24 orë.

Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës para gjilanasve tha se nëse ata janë për qind për qind shtet, dhe se taksa të mbetet në fuqi, atëherë duhet që më 6 tetor të votohet koalicioni AAK-PSD

Ahmeti Isufi, Besa Baftiu, Magbule Shkodra, Bajram Hasani, Salih Salihu, Lavdim Myrtaj, Samet Dalipi, Gëzon Kastrati, Faton Jakupi  janë kandidatët për deputetë nga Gjilani, të përfshirë në listën zgjedhore nga koalicioni AAK-PSD.