Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor sot në drekë pune me kancelarin austriak

Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor sot në drekë pune me kancelarin austriak

Kancelari austriak Sebastian Kurz sot në Vjenë organizoi një drekë pune me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë takimit me kancelarin austriak, Sebastian Kurz kërkoi që liberalizimi i vizave të futet në agjendën e BE-së, pasi që siç tha kryeministri Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret.

“Kosova është vendi i vetëm në BE dhe rajon që ende nuk lëvizë lirshëm dhe nga Kancelari Kurz kërkova që liberalizimi i vizave, të futet në agjendën e BE-së, sepse Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret e vëna nga BE”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij “Facebook” duke shtuar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të thotë më shumë partneritet, më shumë treg e mundësi këmbimi për vendet e BE-së dhe rajonit.

Kreu i ekzekutivit tha se i ka njoftuar homologët se Kosova ka shënuar progres në implementimin e MSA-së dhe ERA 1 dhe se tani tha se po pritet edhe lansimin e ERA 2.

Kancelari Kurz tha se është nder për të që t’i ketë gjashtë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, duke falënderuar komisionerin Hahn për prezencën. Më tej, kancelari Kurz tha se Austria është historikisht partner i fortë i vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Mendojmë se Bashkimi Evropian është i kompletuar vetëm atëherë kur vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e BE-së. Stabiliteti i Evropës është i varur nga stabiliteti i vendeve të Ballkanit”, tha kancelari Kurz.

Ndërkaq, komisioneri Hahn tha se ky është një rast i mirë për të diskutuar dhe për të larguar të gjitha barrierat që vendet e Ballkanit kanë mes vete dhe të shtohet bashkëpunimi veçmas në fushën e konektivitetit dhe digjitalizimit, për të cilën tha se BE do të vazhdojë mbështetjen/21Media