Akuzat e Haradinajt erdhën pas akuzave të Kusarit për programin qeverisës

Akuzat e Haradinajt erdhën pas akuzave të Kusarit për programin qeverisës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, duke iu përgjigj akuzave të deputetes Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ai nuk di të vallëzojë para Gadafit por partnerët duhet të mësohen ta respektojnë Kosovën si shtet.

Akuzat e Haradinajt erdhën pas akuzave të Kusarit për programin qeverisës.

“Kjo qeveri në afat rekord ka arrit të bëjë acarimin e marrëdhënieve me Malin e Zi, bën menaxhim të rrezikshmeve të situatës dhe shtetasve të Kosovës në konfliktin në Kumanovë, dhe marrëdhënieve me Maqedoninë, nuk prezanton asnjë ide në marrëdhëniet me Shqipërinë, derisa ka arritur të marrin vërejtje nga NATO për situatën e krijuar me shndërrimin e FSK-së, keni arrit të acaroni marrëdhëniet me BE-në dhe së fundmi keni marrë vërejtje serioze nga Amerika”, tha ajo.

Kurse, Haradinaj tha se së pari po flet një zëvendësministre, ministre e Tregtisë dhe kryetare e Komunës që nuk mbahet mend për asgjë.

Sipas tij, u deshtë me riparuar dëmet që i ka shkaktuar koalicionit pas zgjedhor që e keni pas.

“Njëkohësisht marrëdhëniet me partnerët i cekët më herët, nuk po dimë me Evropën, nuk po dimë me Amerikën, nuk po dimë me Shqipërinë, unë di unë me kërcyer para Gadafit se nuk jam mësuar ashtu por unë di substancë, përmbajtje, gjithkush do të mësohet të punojë me Kosovën duke respektuar si vend që ekziston, pra nuk di me shkuar aq larg sa me bërë marrëdhënie por substancë di me bo, jam i këtij vendi, më ka fal Zoti këtu dhe partnerët duhet ta dinë si të punojnë me ne ”,ka thënë Haradinaj.

Menjëherë ka reaguar deputetja Mimoza Kusari-Lila, e cila i tha Haradinajt se është për keqardhje sepse si kryeministër po tregon se çfarë niveli ka duke degraduar debatin.

“Zoti kryeministër me keqardhje iu them se e keni ulë gjuhën , nivelin dhe dinjitetin e karriges që mbani dhe Kuvendit të Kosovës, mungesa e aftësive për t’i mbajt raportet normale me partnerët strategjik të Kosovës, e sjell vendin që t’i paradite e përmend muskuj dhe forcë, rrëzime dhe mos mundësi të ngritjes, e pasdite kërcime e marrëdhënie“, tha ai.

Por Haradinaj sërish e vazhdoi reagimin, duke thënë se nuk di të vallëzojë por di ta respektojë atë që e respekton.

“E kam prish gjuhen se fola për aftësitë tuaja të vallëzim para Gadafit, nëse është kjo e prishur e gjuhës, atëherë fol fakte se njerëzit mund të shkojnë deri atje, pra vallëzim, atë kualitet nuk e kam nuk di të vallëzoj veç me qenë ndonjë situatë shumë familjare se nuk di, nuk me ka ra të shkoj deri në atë shkallë por di t’i respektoj miqtë çdoherë duke respektuar atë që jam, nëse kjo është prishje e marrëdhënieve, atëherë llam kemi me bo këto marrëdhënie“, tha ai.

Seanca vazhdoi me çështje për projektin qeverisës.