“Kushdo që hap kufijtë e Kosovës është armik i kombit”

“Nëse ne e hapim 17 shkurtin dhe e hapim këtë Kosovë, ne i hapim varret e atyre që kemi ardhur me i kujtuar sot”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përsëritur qëndrimin e tij kundër heqjes së taksës ndaj mallrave serbe, ndërsa është shprehur kundër ndryshimit të kufijve, duke thënë se hapja e çështjes së kufirit i shkon për shtati vetëm presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Ai këto komente i bëri gjatë takimit me familjet e dëshmorëve të Komunës së Deçanit, me ç’rast ka ritheksuar se taksa ndaj shtetit serb nuk do të hiqet derisa Serbia të mos e njohë Kosovën dhe se kushdo që e hap çështjen e kufijve është armik i kombit shqiptar.

Kreu i qeverisë u shpreh se vendosja e taksës nuk e pengon marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

“Taksa nuk e pengon marrëveshjen, taksa ka me ngut me ardhur te marrëveshja Serbinë. Deri tash, koha i ka konvenuar Serbisë, ka fituar në kohë, na ka mbajtur në tavolinë. Tregun tonë e ka pas, na ka dobësuar gradualisht, pse mos të vazhdojë ashtu. Por ka ndryshuar, nuk është Kosova më ashtu siç kanë menduar që është gjithë… Taksa rri deri në njohje, mbani mend këtë, për me mos tepruar më shumë, taksa është me rëndësi për neve si Kosovë, si shqiptarë kudo qe jemi”, ka porositur ai.

Kreu i qeverisë, tutje ka bërë të ditur se në dy çështje nuk pajtohet me miqt e tij, si nga Kosova ashtu dhe nga Shqipëria. Sipas tij, ato janë çështja e territorit dhe taksa.

“Unë sillna mirë, urtë butë, i respektoj të gjithë si në Prishtinë, ashtu dhe më Tiranë. Por në dy tema, nuk pajtohem me askënd: me ata që e prekin këtë Kosovë të 17 shkurtit. I kam rrugët e ndara me ta, nuk e qes asnjë hap më tutje edhe e kanë gabim, nëse mundohen me mashtruar në tentimin e bashkimit të Preshevës, se e di çfarë mashtrimi është ai, me i hap këta kufij. Po ashtu, dhe me ata që bëjnë ‘ndërskamca’ me heq taksën nuk jam me ta, taksa ka me u heq me njohje”, ka deklaruar Haradinaj.

Mes tjerash, Haradinaj ka shtuar se kushdo që e cenon Kosovën e 17 shkurtit është armik i kombit.

I ashpër Haradinaj ishte dhe ndaj të gjithë atyre shteteve mike të Kosovës që e përkrahin korrigjimin e kufirit. Sipas tij, asnjë shtet mik nuk ka të drejtë të flasë për tokën e Kosovës dhe siç konsideron ai nuk është mik ai shtet që hap çështjen e kufirit.

“Kush është ai mik që ka të drejt me fol për tokën e vendit tim. Jo, nuk është mik, ai që të hapë çështjen e kufirit, nuk është mik më. Ka qenë mik deri atë ditë, kush ta hapë kufirin nuk e ke mik. Çështja e hapjes së kufirit i shkon për shtati vetëm Vladimir Putinit, agjendave të tij dhe lobeve të tij”, ka deklaruar Haradinaj.

Ndërsa, përfaqësuesi i OVL të UÇK-së në Dukagjin, Avdyl Mushkolaj ka thënë se Kosova asnjëherë nuk ka qenë më të fortë se sot, pasi siç ka konsideruar ai, kryeministër është një person që po i prin proceseve përpara.

“Vendosja e taksës ndaj produkteve serbe na bëri krenarë, e fjala e juaj taksa nuk hiqet, nuk e ka mallin e dikujt që ka vrarë anëtarin e familjes, na përloti të gjithëve”, ka thënë ai.

Ai mes tjerash ka shtuar se kryeministri Haradinaj është shpresa e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Back to top button