Ramush Haradinaj kujton vëllain

Ramush Haradinaj kujton vëllain

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj në 46 vjetorin e lindjes së vëllait të tij, heroit Luan Haradinaj ka kujtuar rënien e tij për atdhe.

“Luan, urime ditëlindja. Para 23-vjetësh ke ra për Atdhe, si 23 vjeçarë. Sot, Luani i ri është në rreshtin e ushtrisë sonë për dëshmi se lufta për liri vazhdon përjetësisht. I paharruar kujtimi yt”, ka thënë ai.

Heroi Luan Haradinaj ishte lindur më 17 nëntor të viti 1973 në fshatin Gllogjan të Deçanit.

Shkollën fillore e kreu në fshatin Irzniq, ndërsa shkollën e mesme përkatësisht gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan.

Pas kryerjes së shkollës së mesme Luan Haradinaj regjistrohet në Fakultetin e Edukatës Fizike në Tiranë, të cilin nuk arriti ta kryej duke iu bashkuar kështu luftës për çlirimin e Kosovës.

Luan Haradinaj kishte rënë në njërën prej betejave të para të UÇK-së kundër forcave pushtuese serbe, më 6 maj të vitit 1997, në kufirin shqiptaro -shqiptar.

Beteja disa orësh me forcat serbe, derisa po e udhëhiqte një ekspeditë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën për të hyrë në Kosovë, i mori jetën njërit nga djemtë e familjes Haradinaj.

Në këtë ditë, Luan Haradinaj, bashkë me të vëllain Ramush Haradinaj dhe grupin e përbërë nga Fehmi e Xhevë Lladrovci, Selim Krasniqi e Ramiz Lladrovci, Abedin Rexha e Ilaz Kodra, Rafet Rama e Gani Rama, Emrush Xhemajli dhe Ali Ahmeti, u nisën për në Kosovë.

Trupi i Luan Haradinajt pushoi në Vlanë deri në çlirimin e Kosovës. Pas çlirimit trupi i tij u rivarros në varrezat e dëshmorëve të kombit në vendlindje, në Gllogjan të Rekës, ku prehet së bashku me 20 dëshmorët e vendlindjes./21Media