Haradinaj u bëri thirrje deçanasve që të votojnë për koalicionin

Haradinaj u bëri thirrje deçanasve që të votojnë për koalicionin

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj tha sonte në Deçan se është turp për këdo që guxon të fyejë deçanasit duke thënë se ka mes tyre veteranë të rrejshëm.
Haradinaj para bashkëvendësve të tij tha se veteranët nuk duhet t’i besojnë atyre që tash i thërrasin për kafe dhe e puthin flamurin.

Vlerëson se ia kanë nxirë jetën duke i thënë se ai i ka fryerë numrat e veteranëve.

“Tash kur i kapi zori për vota, tash po iu ngajnë, tash nuk po ju del kurrnjë i rrejshëm. Njëherë thanë jo ky i korruptuar, ky është kështu, ky është i rrejshëm edhe i larguan, tash po iu shkojnë te shtëpia vrap, ku jeni po thonë i kemi ra pishman. Jo kurrë nuk i kam ra pishman, më ka fal Zoti në këtë tokë, jam i Deçanit, prej zorit mu ka deshtë me luftu, nuk ka njeri që lufton prej qejfit. Me i ardhë puna atdheut tim në kofsha duke marrë frymë edhe një herë, edhe 100 herë i mbathi çizmet se është vendi im, është e drejta ime, është populli im. Nëse nuk e kam rrejt popullin tim, kurrë nuk kam me e rrejt mikun, kurrë nuk kam me e rrejt Amerikën, por mos të harrojmë një gjë me Serbinë jemi nda me luftë, keni parasysh. Askush nuk e dinë më mirë se ne qysh mundemi me u marr vesh me Serbinë. Serbia sa të beson që ne kemi me i dhanë diçka nuk ka me u marrë vesh me ne, veç kur e d inë që nuk merr kurrgjë prej neve veç atëherë ka me u marrë vesh me ne“, tha Haradinaj.

Haradinaj u është përgjigjur të gjithë atyre që e kanë kritikuar për keqmenaxhim të buxhetit qatë qeverisjes së tij.

Ai tha se po kritikohet pse u ka ndarë para bujqve të Rahovecit që ua ka prishur breshëri të mbjellat.

Ai foli edhe për autostradën e Dukagjinit, për të cilën tha se nuk e bënë për vota.

“Kur kam shkuar i kam pa i madh e i vogël duke punuar, e fëmijët e vegjël qajshin, jam betuar që kam me ua pagua ato dëme. E kam marrë paranë e popullit po e kam dërguar tek populli. Tash po del dikush po thotë nuk na vyen autostrada e Dukagjinit, mirë çka po dojmë pra ne, a po dojmë me e lanë vendin pa infrastrukturë me u zhvillua, qysh me i ndal njerëzit në vend. Mundesh me bë ekonomi, po nëse nuk mundesh qatë mall me e kyç në treg ai nuk vlen. Autostrada e Dukagjinit nuk bëhet për njerëzit e Dukagjinit as veç për Deçanin, as nuk bëhet për mua me lyp vota se i kam marrë votat para autostradës, sa i përket Deçanit, Gjakovës, ne i kemi votat. Autostrada bëhet për me e lidh këtë pjesë të Kosovës me krejt Kosovën”, tha ai.

Haradinaj u bëri thirrje deçanasve që të votojnë për koalicionin, që sipas tij, e ka bërë Kosovën me Ushtri.

“Ky numër është që e bëri ushtrinë, me ndihmën e PSD-së, vetëm e kam pasur zor me hi në të se me bike qeveria. Ky numër e ka bërë Trepçën, Kosovë qind për qind, ky numër e ka mbrojtur territorin, ky numër e bëri kryeqytetin e Kosovës kryeqytet, si krejt kryeqytetet e botës me ligj. Iu siguroj e kanë lënë Prishtinën kryeqytetin, si Deçanin, mos me e lënë me u zhvillua, me e lanë në qoshe, po shyqyr i erdhi dita me dal në dritë edhe Prishtina edhe Deçani”, u shpreh ai.

Haradinaj tha se tash është koha që të bëhet zhvillimi ekonomik, të bëhen shtesat e fëmijëve.

Ai tha se është koha që paga minimale mos me qenë më e vogël se 250 euro dhe është koha për përkujdesje të të moshuarve.

Po ashtu, Haradinaj tha se është koha që të zhvillohet shëndetësia dhe arsimi.

Pretendenti edhe për një mandat në krye të qeverisë së vendit u bëri thirrje deçanasve që të votojnë për të, pasi sipas tij, vetëm me Deçanin ai mund të fitojë.