U mbajt marshi "Një popull për drejtësi"

U mbajt marshi “Një popull për drejtësi”

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj tha se marshi i sotëm “Një popull për drejtësi” është thirrje e ndërgjegjes kolektive për të vërtetën.

“Në trevjetorin e ndarjes nga jeta të Astrit Deharit, bashkëndjejë me familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët, duke e ndarë dhimbjen me ta për këtë rast tragjik. Marshi i sotëm “Një Popull për drejtësi” është thirrje e ndërgjegjes kolektive për të vërteten.”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Qytetarë të shumtë, pjesëtarë të shoqërisë civile, aktivistë politikë kanë marshuar për të kërkuar drejtësi në trevjetorin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari. Me moton “Një popull për drejtësi”, prej sheshit “Skenderbeu” u marshua deri te Prokuroria e Shtetit, nga ku u kërkua përgjegjësi për vdekjen e Astritit dhe proces i ri hetimor.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se tri vjet pa drejtësi për Astritin janë tepër shumë, teksa theksoi nevojën për hetim të ri.

Astrit Dehari ka vdekur më 5 nëntor 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej si i dyshuar për sulmin e 4 gushtit 2016 me granatahedhës në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Instituti i Mjekësisë Ligjore vdekjen e Deharit e kishte konsideruar vetëvrasje, ndërsa disa ekspertë të pavarur të ngarkuar nga familja këtë vdekje e kishin cilësuar vrasje. Familja Dehari kishte kërkuar ekspertizë lidhur me vdekjen e tij nga instituti zviceran./21Media