Haradinaj: Me gjithë sfidat, fokusin do ta kemi në ekonomi

Reçica njoftoi për veprimet e ndërmarra në reformën e trajtimit të marrëdhënieve kontraktuale punëdhënës-punëmarrës

“Ky vit është vit i ekonomisë dhe do t’i kthehemi seriozisht temave ekonomike, si riaktivizimi i mirëfilltë i Këshillit Kombëtar për Zhvillimit Ekonomik, krijimin e Sekretariatit të Përhershëm të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik në mes të MTI-së dhe të Odave dhe veprime të tjera të rëndësishme në këtë fushë”, kështu tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin e nëntë me radhë të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Haradinaj potencoi faktin se Kosova ka politikën tatimore më të volitshme në rajon dhe Qeveria sipas tij, dëshiron t’i dëgjojë bizneset edhe më tutje për reformat dhe veprimet tjera që lidhen me investitorët e huaj, duke e ditur se janë 11 investitorë strategjikë të paraqitur dhe njëkohësisht investimin më të madh që pritet të jetë në fazën implementuese me vlerë prej 1.8 miliardë euro, investimi në energji me “Conture Global” dhe hapat e tjerë të rëndësishëm që janë ndërmarrë nga Qeveria, siç është edhe krijimi i zonave ekonomike, me theks të veçantë Parku Inovativ Trajnues në Prizren dhe Zona e Veçantë ekonomike Amerikane në Gjakovë.

Siç bëhet e ditur në komunikatën e qeverisë, kryeministri falënderoi partnerët ndërkombëtarë, të cilët sjellin nga ekspertiza, përvoja dhe dije, por, tha se ekzistenca e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik duhet të dëshmohet me veprimet që burojnë nga ai dhe kërkoi që të jenë kërkues, sepse me gjithë sfidat që do dalin, fokusin do ta kenë në ekonomi.

Ndërsa, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala tha se institucionet pjesëmarrëse të KKZHE-së bashkë me komunitetin e biznesit kanë qenë aktiv në punët e përbashkëta për të adresuar prioritetet  dhe sfidat kryesore dhe për të zbatuar reformat gjithëpërfshirëse që kanë për qëllim përmirësimin e ambientit të të bërit biznes, eliminimin e barrierave, forcimin e ndërmarrjeve në Kosovë, tërheqjen e investimeve të huaja direkte në vend.

Ndërkaq, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica njoftoi për veprimet e ndërmarra në reformën e trajtimit të marrëdhënieve kontraktuale punëdhënës-punëmarrës, përfshirë edhe pushimin e lehonisë. Me këtë rast, ministri Reçica tha se projektligji i Punës adreson të gjitha çështjet nga marrëdhënia e punës dhe janë marrë praktikat më të mirë të vendeve të BE-së, por po ashtu janë eliminuar çështjet që kanë qenë problematike në Ligjin aktuale të punës.

Po ashtu, ministri Reçica tha se ky projektligj rregullon pushimin e lehonisë, pushimin prindëror dhe të atësisë. Pushimi i lehonisë parashihet të jetë 12 muaj, ku 3 muaj të parë  pagesa do të bëhet nga punëdhënësi me 70 për qind të pagës bazë,  6 muaj nga qeveria me 50% të pagës mesatare në vend dhe 3 muaj të tjerë pa pagesë jo obligativ. Ky projektligj parasheh edhe pushimin prindëror pa pagesë nga 4 muaj për secilin prind, derisa fëmija t’i mbushë 2 vjet. Po ashtu, sipas tij, për herë të parë me këtë projektligj trajtohen edhe lehonat e papunësuara, të cilat në bazë të këtij ligji do të përfitojnë në afat prej 6 muaj një kompensim mujor në vlerë të caktuar të pagës minimale në vend.

Ndërkohë, Përfaqësuesit e bizneseve janë shprehur të kënaqur me reformat fiskale që ka ndërmarrë qeveria, duke potencuar që këto reforma kanë ndikuar në zhvillimin e tyre.

Në këtë takim u fol edhe për Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbim të pronës Komunale, Ligjin për Partneritetin Publiko-Privat, Menaxhimin e Pronave të “Ekonomisë së Pyjeve”, derisa u fol edhe për bashkëpunimin e shkollave profesionale dhe bizneseve private për aftësimin e kuadrove të reja profesionale, si një hap i rëndësishëm në avancimin e shkollimit dual, i propozuar si nevojë imediate edhe nga Kryeministri Haradinaj./21Media

Back to top button