Haradinaj: Mirënjohës për kontributin e komunitetit ashkali në procesin e lirisë

Shënohet Dita e  Flamurit të Komunitetit Ashkali

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me rastin e Ditës së Flamurit të Komunitetit Ashkali tha se është mirënjohës për kontributin e këtij komuniteti si në procesin e lirisë dhe tani në atë të shtetndërtimit.

Duke vlerësuar se pritjet e këtij komuniteti janë më të mëdha, kryeministri Haradinaj premtoi se bashkë me deputetët e këtij komuniteti dhe zëvendësministrat do të bëjnë punë të mira, që t’i gëzojnë të drejtat që i kanë me kushtetutë dhe me ligj, por edhe në rritjen e mirëqenies ekonomike, sociale dhe kulturore.

“Unë jam shumë i gëzuar që shtëpia e qytetarëve të Kosovës, në këtë rast Qeveria e Kosovës, është vendi ku bashkohemi kaq shumë dhe me kaq dashuri për të shprehur respektin për komunitetin ashkali në Kosovë”, tha kryeministri Haradinaj.

Ndërsa, deputeti Etem Arifi vlerësoi se janë mirënjohës ndaj UÇK-së, bashkësisë ndërkombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, duke thënë se ndihen krenar që janë disa deputetë nga ky komunitet që kanë nënshkruar deklaratën e pavarësisë.

“Kjo festë e ashkalinjve të Kosovës i gjen me mbështetje institucionale dhe me përkrahje të atyre që kanë nevojë, kanë arsim, banim dhe jetë më të mirë krahasuar me gjendjen e mëhershme”, tha deputeti Arifi.

Arifi kërkoi nga kryeministri Haradinaj mbështetjen e tij edhe në të ardhmen për këtë komunitet.

Back to top button