"Këtu kah akshami ‘shuhen’ dritat atë ditë që votohet"

“Këtu kah akshami ‘shuhen’ dritat atë ditë që votohet”

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD Ramush Haradinaj, u ka bërë thirrje qytetarëve të Drenasit që të ruajnë votën, pasi sipas tij në këtë komunë në mbrëmje ‘ndalen dritat dhe ka persona që vendosin se për kënd të shkojnë ato vota’.

Haradinaj para qytetarëve të Drenasit ka premtuar se çështja e stadiumit nacional është e kryer dhe sipas tij ai do të ndërtohet aty ku është premtuar.

“Po them me i dal në ballë se këtu kah akshami ‘shuhen’ dritat atë ditë që votohet edhe nuk ka lidhje për kënd votoni, vendosin ata të tjerët kujt me ia lënë ndonjë votë, ju lutem ruajeni votën tuaj. Që nja 20 vjet që jemi të lirë se gjatë luftës jam ardhur në Drenicë po jo në Drenas, që 20 vjet kurrë nuk kam ardhur në Drenicë veç me marrë, po kam ardhur mu marrë vesh çka të bëjmë. Pra, çka do që të biem dakord ne me ju, ju me mua, ne me e zbatuar, pra nuk kam ardhur me iu thënë fjalë, e kësaj here po iu them pasi jeni mësuar me qenë gjatë në pushtet. Boll mirë që keni hyrë me këtë koalicionin e ri e nuk mbeteni në opozitë se po më duket ata tjerët ‘dallash’ e kanë marrë”, tha ai.

Pretendenti edhe për një mandat në krye të Qeverisë së Kosovës, qytetarëve të Drenasit u ka treguar disa nga punët që do të kryhen nëse ai merr edhe një mandat.

“Do të ndërtohet stadiumi nacional. Është në territorin tuaj dhe është një vepër e madhe dhe ka ndikim të madh dhe do të ketë rëndësi të jashtëzakonshme. Kemi edhe sistemin e ujitjes, po pastaj mos harroni rruga do të zgjerohet , pra  rruga me katër korsi prej Komoranit e deri në Skenderaj do të kryhet. Në sektorin publik kemi bërë ligj dhe janë pagat u rregulluan. Çdo fillim viti do të rriten 10 për qind, vlera e kësaj rritje në vitin e parë është 50 e pastaj çdo vit është 55, 60, 65. Totali i kësaj rritje në katër vite është 200 milionë, nuk ka më shumë. Pra, rritja e pagave për 10 për qind, vetëm me ulje të informalitetit  rreth 4 për qind kaq para shtim në buxhet. Kjo rritje, tash më 1 nëntor fillon të zbatohej ligji, pagat e 1 dhjetorit merren me rritje, i ka ra 13 për qind me u rrit, pra 13 për qind rriten në këtë vit, ndërsa çdo vit tjetër ka 10 për qind”, tha ai.

Haradinaj derisa ka kërkuar votën e qytetarëve të Drenasit, i ka porositur ata që të mos e shesin votën.

“Servilizmi, servilët, vlejnë vetëm sa të kryhet një punë, pastaj shkojnë me atë punë. Përfundon gjenerata e servilëve kur kryhet ajo punë, atë ditë që u krye një punë krejt ato veglat e asaj pune i gjuajnë diku…I huaj është ai që nuk i shërben me besnikëri vendit të vet, a ke i Gllogjanit, a ke i Drenicës, kush nuk i shërben vendit të vetë, ai është i huaj. Ai që i shërben Kosovës, ai është i Drenicës, i Drenasit dhe ai është i gjithë neve. Unë e di që edhe mundohen me ua rënduar pak e iu bëjnë presione të ndryshme e ku po di unë, tash besa edhe shpërndajnë ndonjë para se është ardhur vakti, ani nuk ka dert, po ju lutem ju dinë çka po doni, çka është në interesin tuaj e të vendit”, u shpreh ai.

Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-PSD Shyqiri Bytyqi, u shpreh se fitorja e tyre do ta mund zhgënjimin që e ka kapluar vendin. Ai tha se koalicioni i tyre do ta kthejë shpresën dhe të rinjtë e vendit do të kenë mundësi ta organizojnë jetën e tyre në Kosovë.

Bytyqi tha se ata po vijnë për ta siguruar vendin se askush nuk do të guxojë që ta kapë shtetin për zhvatje dhe askush nuk do të guxojë që territorin e Kosovës ta vë për diskutime në tavolina me ndërkombëtarët.

“Këto zgjedhje ne duhet t’i fitojmë, jo vetëm që duhet t’i fitojmë në mënyrë që të realizojmë programin dhe ofertën tonë, por kjo fitore na duhet për 100 për qind shtet. Kosova sot ka shumë sfida, por me përkrahjen e juaj ne do t’ia dalim, sepse ne kemi guxim dhe kemi dije dhe dimë t’i përballojmë çfarëdo sfide që mund t’i del përpara vendit tonë. Drenasi, si dhe tërë Kosova pret që të kemi një pushtet të përgjegjshëm, pret që të kemi një lidership të fortë, që të kemi një përgjegjësi programore dhe këtë mund ta gjeni te lista fituese AAK-PSD, sepse ne kemi vlera dhe kemi kapacitete. Sot janë dy çështje të rëndësishme për Kosovën, është mbyllja e sovranitetit dhe zhvillimit ekonomik dhe këto gjëra arrihen vetëm me dije, guxim dhe përkushtim dhe kush më mirë sesa koalicioni jonë fitues mund t’i bëjë”, tha ai.

Kandidatë për deputet nga Drenasi nga koalicioni AAK-PSD janë Arta Gjylani-Ahmeti, Naim Bazaj, Shyqiri Bytyqi dhe Yll Bogaj.