Haradinaj viziton Durrësin

Haradinaj viziton Durrësin

Kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj po viziton sot zonat e prekura nga tërmeti në Shqipëri, për t’i dhënë përkrahje të gjithë atyre që janë angazhuar në përballimin e gjendjes dhe të bashkëndjejnë me familjet e prekura nga tërmeti.

Ai fillimisht është ndalur të njësitë e Policisë së Kosovës, Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ekipeve të mjekësisë në Durrës, prej ku tha se bashkëndjejnë me të gjitha vështirësitë qe i ka Shqipëria.

“Të gjithë në Kosovë vërtetë bashkëndjejmë, janë bashkë me të gjithë të prekurit prej tërmetit, njëkohësisht krejt mekanizmat që i ka Kosova i ka në dispozicion, kuptohet koordinimi është i nevojshëm edhe që të bëjmë veprimet e duhura, po ku sigurojmë që nga Kosova nuk do të kursejmë asgjë që të jemi bashkë”, tha Haradinaj.

Pasi njerëzit reaguan se po ka keqpërdorime me donacionet, Haradinaj tha se vullneti i mirë i njerëzve që po dërgojnë ndihma nga Kosova në Shqipëri u dedikohet të prekurve , për çka theksoi se nuk ka asnjë dilemë që donacionet u shkojnë atyre që kanë nevojë. Megjithatë, pranoi që është e vështirë të menaxhohet një situatë e tillë.

“Nuk kemi asnjë dilemë që vullneti i mirë i njerëzve, të gjithë ato donacione u janë dedikuar të prekurve dhe e dimë që askush nuk e keqpërdorë një situatë të tillë , nuk kemi asnjë dilemë qe çdo gjë shkon si është më së miri. Kuptohet, është vështirë të menaxhohen, të koordinohen njerëzit kur vinë individualisht, ne në Kosovë kemi bërë një përpjekje që ndihmat të dorëzohen në një adresë pra jo secili për vete por të ketë një adresë ku dorëzohen e nga aty të shpërndahem”, tha Haradinaj.

Haradinaj tha se ka një numër të caktuar të qytetarëve të Shqipërisë që janë në Kosovë. Ata janë strehuar në familje private e hotele, gjithashtu është hapur edhe kampi në Prizren ku po qëndojnë 500 persona.

Bashkë me Haradinajn qëndroi edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i cili tha se solidariteti i Kosovës e ka bërë më të lehtë përballimin e pasojave.

“Ky solidaritet e ka bërë më të lehtë përballimin e këtyre pasojave, të kësaj dhimbje, edhe njëherë zoti kryeministër duhet të jeni krenarë për Forcat e Sigurisë së Kosovës, për Policinë e Kosovës sepse jam i sigurt qe çdo vend i NATO-s do të ishte krenarë për më të mirën që ata kanë shfaqur gjatë këtyre dy-tre ditëve dhe netëve pa ndalim, pa u lodhur dhe për këtë ju dëgjoni edhe vet reagimin e vet qytetarëve tanë të cilët shprehin mirënjohjen më të thellë e më të përzemërt të mbarë popullit tonë për këtë solidaritet vëllazëror”, tha Meta.

Ministria e Shëndetësisë në Shqipëri bën të ditur se numri i personave që kanë marrë lëndime nga tërmeti i 26 nëntorit ka shkuar në 900, ndërsa kanë humbur jetën të paktën 49 persona.