Haradinaj në Emergjencë: Erdha duarthatë se ndryshe nuk guxova të vijë

“Klinika Emergjente ka bërë të gjitha përgatitjet për pritjet e festave të fundvitit”

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj vizitoi në orët e mbrëmjes edhe Repartin e Emergjencës në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Ai me këtë rast u takua me stafin mjekësor të Emergjencës, të cilët në natën më të hareshme të vitit do të jenë në vendet e tyre të punës me qëllim të shërbimeve sa më të shpejta dhe cilësore për pacientët.

Haradinaj uroi stafin mjekësor me rastin e festës së Vitit të Ri dhe u shprehu mirënjohje për punën e palodhshme që ata kryejnë, madje u shpreh edhe me tone humori.

“Unë kam ardhur duarthatë se ndryshe nuk guxova të vijë ndryshe”, u shpreh Haradinaj me shaka, ndërsa më pas bëri edhe një selfie me një nga punonjësit shëndetësorë.

Ai apeloi edhe për kujdes gjatë festimit të motmotit nga ana e qytetarëve.

“Për fat të mirë, lajmi është i mirë, nuk kanë shumë raste tash për tash. Apeloj te të gjithë të festojnë sa me më kujdes sidomos ata që drejtojnë makinat, jo nën ndikim të alkoolit, mos ta kthejmë festën në dhimbje. Gjatë mbrëmjes ka pasur mjaft ndërprerje të energjisë, por jemi kujdes të mbetemi në temë. Kam ardhur të falënderoj të gjithë mjekët dhe ata që janë në punë në gjithë vendin, sepse këta do të vazhdojnë të kujdesen për pacientët”, tha Haradinaj.

Ndërsa, Basri Lenjani, drejtor i Klinikës Emergjente tha se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për festën e Vitit të Ri, për t’iu përgjigjur rasteve eventuale me armë apo mjete piroteknike, por që fatmirësisht deri më tani nuk janë paraqitur raste të tilla.

“Klinika Emergjente ka bërë të gjitha përgatitjet për pritjet e festave të fundvitit. Falënderojmë kryeministrin për vizitën në Klinikën Emergjente. E pa se stafi i Klinikës Emergjente është në obligim dhe në përgjithësi në ofrimin e kujdesit mjekësor. Mendoj se shërbimi emergjent është specifike dhe shteti në të ardhmen duhet të ketë kujdes të veçantë pasi bëhet fjalë për derën e parë, frymëmarrja e parë, trokitja e parë dhe kjo kategori e kujdesit shëndetësor duhet të dallohet nga kategoritë tjera të cilat ofrojnë kujdes emergjent”, u shpreh Lenjani.

Pas vizitës në Klinikën Emergjente të QKUK-së, kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj u nis për të vizituar edhe pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës.

Back to top button