Haradinaj në mbrojtje të taksës

Për prodhuesit e drurit, Haradinaj tha se mund të investojnë në hapjen e vendeve të punës

Shoqata e përpunuesve të drurit së bashku me USAID-in kanë bërë hapjen e Konventës së tretë vjetore të Përpunuesve të Drurit në Kosovë, me qëllim që kompanitë të kenë mundësi të prezantojnë produktet e tyre, mobile të ndryshme, të prodhuara nga druri.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se në Kosovë ka parametra që prodhuesit vendorë të kenë mundësi te prodhojnë dhe të shesin jo vetëm në Kosovë.

“Taksa e vendosur mundet me u lidh edhe në këtë rast. Kjo taksë është e duhur, e ka edhe një efekt, është Kosova e para. Mundemi me bo nëse secili në hapësirën e vet e mbulon këtë. Prodhuesit e drurit i zhvillojnë kapacitetet e veta është garues në çmim, dhe kështu e ndihmon Kosovën, ku hap edhe vende të reja të punës”, ka thënë ai.

Kryeministri ka kërkuar nga të gjithë prodhuesit që të investojnë në vende të punës, në mënyrë që Kosova të jetë e konkurrueshme edhe në botë.

Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno ka bërë të ditur se ndihet mirë që sot janë investitorët, duke shtuar se sektori i përpunuesve të drurit në Kosovë është ndër më të zhvilluarit. Sipas saj ka edhe potencial që të rritet edhe më tutje.

Ky panair do të zgjasë dy ditë. Në këtë panair rreth 18 kompani të përpunimit të drurit do të paraqesin produktet e tyre të realizuara në Kosovë, ku përfshihen mobilet e drurit, dyert, dritaret dhe produktet e enterierit në një ekspozitë gjatë kësaj ngjarjeje.

Prezantimet dhe diskutimet e forumeve të industrisë do të mbahen rreth një sërë temash, duke përfshirë tregimet e suksesit dhe sfidat me të cilat ballafaqohet industria, teknologjitë e reja në përpunimin e drurit, aktivitetet e donatorëve në këtë sector si dhe bashkëpunimin në mes të universiteteve dhe sektorit privat.

Back to top button