"Është bërë një gabim me Çakorrin"

“Është bërë një gabim me Çakorrin”

I nominuari për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, është takuar sot në Rugovë të Pejës, me banorët e kësaj ane, me të cilët ka biseduar për demarkacionin me Malin e Zi, që prek territorialisht këtë zonë. Ai ka thënë se çështja e Çakorrit do të zgjidhet në marrëveshje me Malin e Zi.

Sipas Haradinaj,  Mali i Zi është treguar korrekt me Kosovës për disa vite, duke nisur nga lufta me Serbinë.

“Mali i Zi e ka ndërruar drejtimin qe një kohë. Në luftën e fundit është ruajt me ne, një pjesë e jona gjetën strehë te ta. Tani na e njohu pavarësinë”, ka thënë ai.

Haradinaj foli edhe për demarkimin në versionin Meha, të cilin e ka quajtur gabim, teksa ka shtuar se me liderët e Malit të Zi ka diskutuar lidhur me këtë çështje dhe beson që në bashkëpunim me ta do të gjendet marrëveshja për korrigjimin e gabimeve.

Tani na ndodhi kjo me kufirin, si papritur. E dimë që historia dhe e kaluara ka qenë e vështirë, duam t’i vendosim gjërat në rend. Është bërë një gabim me Çakorrin. Ata e kanë kuptuar që është gabim. Dy liderët e tyre nuk janë kundër që të rregullohet kjo punë”, ka thënë ai.

Haradinaj ka thënë se është vonuar për ta rregulluar këtë çështje, pasi gjatë qeverisjes së tij doli një problem më i madh. Iu referua përpjekjeve për shkëmbimin e territoreve me Serbinë.

“Më kanë pyetur nganjëherë pse po vonohesh, se na doli një telash tjetërkah. Edhe atë e rregulluam me shumë mund”, ka thënë ai.

Haradinaj, para banorëve rugovas, ka premtuar investime infrastrukturore në këtë anë për të përmirësuar kualitetin e jetës së qytetarëve si dhe për të ndihmuar në zhvillimin e turizmit.