Haradinaj priti në takim ministrin e Jashtëm të Finlandës, Soini

Haradinaj priti në takim ministrin e Jashtëm të Finlandës, Soini

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Timo Soini. Haradinaj e vlerësoi lart mbështetjen e Finlandës për Kosovën në proceset e shtetformimit dhe angazhimin e saj për rrugën evropiane të vendit.

Ai e vlerësoi edhe rolin e çmuar të ish-presidentit të Finlandës, Martti Ahtisaari, si i dërguar i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, të zhvilluara në Vjenë.
Kryeministri Haradinaj tha se perspektiva e Kosovës është në BE dhe se institucionet e Kosovës janë të angazhuara në zbatimin e agjendës evropiane, posaçërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Ai tha se Kosova ka nevojë për mbështetje në rrugën e integrimeve evropiane dhe në anëtarësimin e saj në organizatat e mekanizmat ndërkombëtar, para së gjithash në UNESCO dhe në INTERPOL, thuhet në njoftimin e dërguar nga zyra e kryeministrit.

Kryeministri Haradinaj, theksoi se Kosova është një faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon dhe ajo po kontribuon në avancimin e fqinjësisë së mirë, përfshirë edhe Serbinë.
Ai tha se platforma e re e dialogut me Serbinë do të bazohet në një kornizë të re kohore dhe në gjithpërfshirjen politike e qytetare në vend dhe duhet të rezultojë me njohjen e ndërsjellë mes dy vendeve.

Më tej kryeministri Haradinaj theksoi se bashkëpunimi i Kosovës dhe i Finlandës në të gjitha fushat duhet të thellohet me theks të veçantë në zhvillimin ekonomik dhe në investimet e jashtme.
Kurse nga ana tjetër ministri i Jashtëm i Finlandës, Timo Soini, duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj tha se dy vendet kanë një histori të marrëdhënieve të mira dhe ato duhet të vazhdojnë dhe të thellohen.

Ai tha se Kosova si i gjithë rajoni i Ballkanit ka perspektivë evropiane dhe Finlanda do të vazhdojë të ndihmojë në procesin e integrimeve. “Ishte mundësi për të evoluar gjithë bashkëpunimin bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Finlandës. Ka plotë tema që Finlanda është prezent në Kosovë. Kjo vizitë dëshmon vazhdimin e një përkushtimi për marrëdhëniet bilaterale, do t’i japim në të ardhmen dimension edhe marrëdhënieve ekonomike”, tha kryeministri Haradinaj, pas takimit me ministrin Soini.

Ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Timo Soini, konfirmoi bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet Finlandës dhe Kosovës edhe në të ardhmen. “Kemi pasur diskutime të shkëlqyera me kryeministrin dhe jemi të lumtur që të festojmë dhe të konfirmojnë raportet tona të mira bilaterale. Ne do të bashkëpunojmë edhe në nivelin ndërkombëtar dhe është mirë të jesh në mesin e miqve, andaj ju faleminderit”, tha ministri Soini./21Media