Haradinaj hedh valle me Vasfije Krasniqi Goodman

Haradinaj hedh valle me Vasfije Krasniqi Goodman

Gratë e Kosovës historikisht kanë qenë bazament dhe guri i mbijetesës për vendin. E fuqzimi i gruas do të thotë familje proaktive dhe shoqëri të gjallëruara, në stabilitet dhe zhvillim ekonomik. Kështu ka deklaruar sot kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj në konferencën Global Woman Summit, organizuar nga Global Woman Club.

Ai aty tha se nëna dhe gruaja e tij kanë qenë boshti i të gjitha betejave të tij për Kosovën.

Duke folur për rolin e gruas në shoqëri, Haradinaj u shpreh se gratë forcojnë vendin në politikë, ekonomi, sport, muzikë, e shkencë, e disa udhëheqin nga fronti.

“Gratë e Kosovës historikisht kanë qenë bazamenti ynë dhe guri i mbijetesës sonë…Jeta ime nuk ishte e lehtë, në të cilën edhe nëna ime edhe gruaja ime kanë qenë boshti i të gjitha betejave të mia për Kosovën, për UÇK-në, për shtetin që kemi sot, për familjen që kam unë sot. Njoh shumë gra të tjera, anë e kënd qyteteve e fshatrave të Kosovës, të cilat kanë qenë fuqia e shoqërisë sonë, e shtetit që kemi sot. Ajo që dua të them është ‘edhe gratë edhe burrat kemi nevojë për fuqizim’”, tha ai.

Sipas tij, fuqizimi nuk është ekskluziv, me fitues dhe humbës, pasi siç tha ai, fuqizimi nënkupton përkrahje të përditshme, në jetë, në punë, në shtëpi dhe kudo.

Ai shprehu gatishmërinë e tij për të luftuar për mundësi të barabarta në shoqëri, e jo vetëm për barazinë si qëllim.

“Përderisa ne vazhdojmë rrugëtimin e konsolidimit dhe zhvillimit të Kosovës, unë do të vazhdoj të luftoj për shoqërinë tonë, jo për barazinë si qëllim, por për mundësi të barabarta si rezultat. Është obligim i yni të përkrahim dhe rrisim gra të forta, dhe kështu të ndërtojmë shoqëri të fuqishme. Është obligim i yni të ofrojmë mundësi të barabarta në shkollim e trajnim, të garantojmë të drejta të barabarta në trashëgimi, paga të barabarta në vende pune, trajtim të barabartë në shoqëri”, tha Haradinaj.

Në fund, ai falënderoi përfaqësueset e Gobal Woman, për një kauzë të vlefshme, derisa tha se kur fuqizohet gruaja, efekti shumëfishohet në familje proaktive dhe shoqëri të gjallëruara, në stabilitet dhe zhvillim ekonomik.

Ndryshe, pjesë e këtij samiti ishin shumë gra që janë bërë zëri i vetes dhe shoqërisë, si Vasfije Krasniqi Goodman.

Teksa ai po duartrokiste, me ftesë të grave pjesëmarrëse, është parë t’i bashkohet valles, nën tingujt e këngës “No rules” të Dua Lipës.

Pas pak minutash, kryeministri në detyrë zgjodhi që edhe nga vallja të largohet duke vrapuar.