Haradinaj ngulë këmbë: Kosova s’ka humbur 17 mijë vende të punës

Kryeministri kritikon politikanët që iu referohen këtij raporti

Për të dytën herë, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj raportit të Bankës Botërore se Kosova ka humbur 17 mijë vende të punës gjatë vitit 2018.

I pari i Qeverisë këtë lajm e quajti të manipuluar dhe qëllimisht të shtrembëruar. Gjithashtu ai tha se deklarimet e një pjese të akterëve të politikës në mbështetje të një “lajmi të rremë” janë të papranueshme dhe denigruese për vendin.

“Dëshmia më e mirë në kundërshtim të njoftimeve dhe vlerësimeve për humbjen e vendeve të punës është edhe vetë demanti i këtij lajmi nga Banka Botërore e cila e pranon edhe uljen e shkallës së papunësisë edhe rritjen ekonomike të Kosovës, më të madhen në gjithë rajonin tonë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij “Facebook”.

Kreu i ekzekutivit tutje tha se sipas të dhënave zyrtare ka një rënie të shkallës (vjetore) së papunësisë prej rreth 1 për qind.

“ Ky është numri i të papunësuarve si përqindje e fuqisë punëtore aktive totale. Në të njëjtën kohë, ka pasur një rënie të numrit të njerëzve që kanë marrë pjesë në tregun e punës. Bazuar në të dhënat zyrtare, krijimi i vendeve të punës neto në periudhën Korrik-Dhjetor 2018 ende nuk kishte kompensuar plotësisht humbjet e vendeve të punës neto në dy çereket e parë të vitit. Kjo ka çuar në një rënie të vlerësuar të shkallës së punësimit (që është numri i të punësuarve si përqindje e popullsisë në moshë pune) prej 1 për qind në çerekun e katërt të vitit 2018 në krahasim me çerekun e njëjtë në 2017, një diferencë prej 7900 vende të punës, sipas anketës së fuqisë punëtore”, ka shkruar Haradinaj.

Kryeministri i bindur, u shpreh se është një fakt i pamohueshëm se Kosova ka shënuar rritjen më të madhe ekonomike në rajon dhe me reformat e ndërmarra ligjore, lehtësirat fiskale dhe investimet e huaja direkte, sipas tij ky trend pozitiv, në vitet e ardhshme parashihet të rritet akoma më shumë.

“Nisur nga këto fakte, përgjegjësia për manipulim të opinionit publik me statistika krejtësisht të pavërteta bie mbi të gjithë ata që në mënyrë manipulative i shfrytëzojnë të dhënat, madje edhe duke i shtrembëruar ato, për arritjen e efekteve ç’orientuese dhe mosbesuese ndaj të vertëtës, punës dhe rezultateve të Qeverisë, të cilat shumë akterë, sikur se po shihet, nuk po munden t’i kapërdijnë”, ka përfunduar Haradinaj.

Edhe në emër të Qeverisë së Kosovës ka dalë një reagim ku është vlerësuar se raporti i publikuar dje nga përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, për sa i përket zvogëlimit të vendeve të punës në Kosovë në vitin 2018, për 17 mijë vende pune, është plotësisht i pa vërtetë dhe i pa bazuar./21Media

Back to top button