Haradinaj: Nuk jap para për kompani që është para falimentimit

Po diskutohet për Telekomin

Kuvendi i Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të thirrur me kërkesë të GP të Lëvizjes Vetëvendosje dhe mbështetur edhe nga LDK-ja ka nisur diskutimet lidhur me gjendjen në Telekomin e Kosovës dhe masat që i ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës në zbatimin e Rezolutës nr. 06-R-013, dt.12.07.2018 lidhur me gjendjen financiare në Telekom dhe Postën e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk guxon që të japë para një kompani që është para falimentimit. Ai ka bërë thirrje që të mos nënshkruajnë kontrata që janë të dëmshme për kompaninë. Sipas Haradinajt, kushdo që e nënshkruan ndonjë marrëveshje të tillë do të përballet me ligjin.

“Nuk mund t’i japim pare të popullit një kompanie që nuk i ka sqaruar disa gjëra. Duhet kërkuar llogari. Ju bëj thirrje mos të nënshkruajë më kush as vazhdim kontrate, as kontratë që nuk është në terma të biznesit e shpjegueshme, e cila e mbron interesin e kompanisë publike, pra ata njerëz i paguani ju edhe bordin edhe drejtorin e Postës edhe kushdo që është aty. Pra ata njerëz të mos nënshkruajnë kontratë të dëmshme për kompaninë publike. Kjo është thirrja ime, kushdo që e nënshkruan do të përballet para ligjit”, ka deklaruar Haradinaj.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca ka thënë se falimentimi i Telekomit është bërë qëllimshëm me një skenar të autorit të këtij krimi të organizuar me përfitime qindra milionëshe nga akterët e pushtetit në bashkëpunim me pronarët e Dardafonit, dhe me protagonistët kryesorë ish kryeministrin e vitit 2009, Hashim Thaçi dhe me PDK-në.

Back to top button