Haradinaj nuk shkon në Amerikë

Kryeministrit iu refuzua viza

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka konfirmuar se nuk do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës muajin e ardhshëm. Mediat dje kanë raportuar se autoritetet amerikane ia kanë refuzuar Haradinajt një kërkesë për vizë, por kryeministri sot nuk ka dhënë detaje për këtë. Ai vetëm ka konfirmuar se pavarësisht dëshirës së tij, vizita në Amerikë nuk do të realizohet.

“Ftesë kam marrë për Lutje të Mëngjesit, me klimën e taksës nuk do të shkoj edhe pse qef kam pasur”, ka thënë Haradinaj gjatë një konference për shtyp pas mbledhjes së qeverisë.

Kjo është hera e dytë që Haradinajt i paraqiten probleme me pajisje me vizë amerikane, pas rastit të vitit të kaluar.

Më parë, stacioni televiziv “Al Jazeera Balkans” ka pohur se duke u bazuar në burime nga Departamenti amerikan i Shtetit, kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj i është refuzuar viza amerikane, për shkak të tarifës ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës dhe se ai nuk do të mund të marrë pjesë në një konferencë për Ballkanin në fillim të shkurtit.

Mospjesmarrjen në këtë konferencë e ka konfirmuar për këtë stacion televiziv edhe njëri nga organizatorët.

Gjatë ditës së hënë mediat në Kosovë kanë raportuar se Këshilli për Siguri Kombëtare dhe Departamenti i Shtetit, iu kanë dërguar një dokument tetë pikësh institicioneve të Kosovës ku kanë kërkuar heqjen e menjëhershme të tarifës ndaj mallrave serbe në të kundërtën institucionet kosovare do të përballen me sanksione amerikane. Megjithatë, të hënën, kryeministri Haradinaj ka deklaruar se Prishtina do ta shfuqizojë tarifën vetëm nëse pranon garanci ndërkombëtare që marrëveshja përfundimtare me Serbinë do të rezultojë me njohjen e ndërsjelltë.

Back to top button