“PDK është e paqëndrueshme. LDK-ja iu ikë temave të nxehta..."

“PDK është e paqëndrueshme. LDK-ja iu ikë temave të nxehta…”

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj sonte ka thënë se është i interesuar për partneritet me Nismën Socialdemokrate dhe se një gjë e tillë nuk do të thotë ndryshim të marrëveshjes me PSD-në, pasi pjesë e koalicionit parazgjedhor mund të jenë edhe partitë e tjera.

“Kam respekt për Nisma dhe Limaj. Jam i interesuar për partneritet me Nisma. Nuk ndryshon partneriteti me PSD, pasi mund të shtohen edhe parti të tjera”, ka thënë ai gjatë emisionit Pressing në T7.

Haradinaj ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me partitë e tjera. Ai ka thënë se ka vërejtje për PDK-në, VV-në dhe LDK-në.

“PDK është e paqëndrueshme. Kanë problem me qëndrueshmërinë e vet. Nuk e di si i marrin vendimet. LDK-ja iu ikë temave të nxehta, nuk janë ata që shkojnë të kapin ‘patatet’ e nxehta për vendin. Albin Kurtin e kam takuar për ushtri edhe shumë tjera herë. Hetoj një ndryshim. Është një mjeshtër i mirë të paraqitet, por nuk është ashtu sikurse thotë. Kohët e fundit thotë është më mirë reciprocitet se sa taksa. O Albin, leje këtë taksë! Shyqyr që i erdhi dita! Ai po dëshiron ta lëkundë edhe këtë. Nuk ia kuptoj oscilimet. Është bërë e çuditshme kjo që Albini po e lyp çdo ditë LDK-në. Ai i thotë LDK-së ju duhet të vini me mua, por unë e dua këtë”, ka thënë Haradinaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Socialdemokrate kanë nënshkruar marrëveshje koalicioni parazgjedhor. Përfaqësuesit e këtyre dy subjekteve politike kanë paralajmëruar lidhje koalicioni edhe me partitë tjera, Nismën dhe AKR-në.