Haradinaj para studentëve të Iowa-s: Regjimi i vizave diskriminim për qytetarët tanë

“Diskriminim për shtetin më të ri në Evropë i cili nuk e ka të drejtën e lëvizjes së lirë”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur sot një grup studentësh, të kryesuar nga Tonia Land dhe Stephanie Dana Ely nga Iowa, me të cilët zhvilloi bashkëbisedim për shumë çështje të rëndësishme, përfshirë punët që po i bën Qeveria për Kosovën, agjendën e saj, jetën e kryeministrit Haradinaj gjatë luftës, por edhe pas saj dhe rrugëtimin e tij politik.

Kryeministri Haradinaj duke e falënderuar shtetin e Iowa-s për miqësinë që ka me Kosovën ka thënë se sot është një nder prania e studentëve në Qeveri për të folur para tyre për punët dhe fokusin që ka Qeveria nën udhëheqjen e tij.

Kryeministri Haradinaj iu ka përgjigjur studentëve në pyetjet e tyre për sfidat që e kanë përcjellë atë deri në ditën ku është sot në krye të shtetit.

Izolimi i qytetarëve të Kosovës përmes regjimit të vizave, është njëra nga çështjet që kryeministri Haradinaj ka shprehur para studentëve të Iowa-s dhe këtë e ka quajtur diskriminim për shtetin më të ri në Evropë, i cili nuk e ka të drejtën e lëvizjes së lirë.

I pyetur në lidhje me marrëdhënien Qeveri-media, kryeministri Haradinaj ka thënë fillimisht ka pasur një qasje jo të mirë me mediat, sepse jepnin lajme jo të vërteta, por duke e kuptuar se ky është realiteti pastaj është paraqitur shumë transparent me atë se çfarë bën, përpos çështjeve që kanë të bëjnë me sigurinë, të cilat me ligj nuk lejojnë t’i paraqesë.

Kryeministri Haradinaj, më tutje, në interesimin e studentëve lidhur me planin qeverisës që do të përmbushë gjatë qeverisjes së tij ka thënë se është duke punuar që të ketë ligje të mira, duke potencuar atë për Pagat, Ushtrinë, etj.

Kryeministri Haradinaj i ka informuar studentët nga Iowa që ky vit do të jetë vit i ekonomisë dhe se i mbështetë bizneset e reja sa i përket industrisë digjitale, teknologjisë informative dhe bizneseve të reja, disa prej të cilave janë bërë brende në mbarë botën.

Kryeministri Haradinaj, gjatë bashkëbisedimit ka folur edhe për karakteristikat e popullit kosovar, duke e përshkruar atë si një popull paqësor, njerëz gjeneroz dhe mikpritës, të gatshëm që të ndihmojnë dhe japin pjesën e tyre për t’iu bashkëngjitur botës, duke dhënë kontribut gjithandej.

Në interesimin e studentëve se cili është aspekti më përfitues dhe shpërblyes nga pozita në të cilën është kryeministri Haradinaj ka thënë se nga kjo pozitë përfitimi kryesor është përfundimi i detyrave të shtëpisë të cilat kanë pritur një kohë të gjatë dhe potencoi se puna si kryeministër është shumë sfiduese dhe me përgjegjësi.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se ai ka një logjikë tjetër qeverisëse dhe politikat e tij qeverisëse janë të interesit nacional, duke vlerësuar se është humbur shumë kohë dhe me dinamikën e re qeverisëse të plotësohet koha e humbur, derisa ka theksuar faktin se në konsultim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë ka bërë të mundur shndërrimin e FSK-së në ushtri, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se tani në aspektin e sigurisë si shtet janë më të sigurt duke e forcuar edhe luftën kundër korrupsionit.

Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Haradinaj ka vlerësuar faktin se që nga paslufta kërkesat janë rritur dhe për këtë janë duke punuar intensivisht në përmirësimin e kushteve në arsim dhe në të gjitha fushat, të cilat do të ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mirëqenies për të rinjtë që janë të shumtë në numër.

Haradinaj ka shtuar se Kosova ka nevojë të madhe për shkollat profesionale dhe arsimin dual, fushë kjo në të cilën janë angazhuar të kenë rezultat konkret marrë për bazë edhe numrin e madh të të rinjve që i ka Kosova.

Back to top button