Haradinaj takohet me gjeneralin amerikan Orr

Haradinaj takohet me gjeneralin amerikan Orr

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka zhvilluar një takim me komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjenerali Tymothy Orr. Pas takimit, Haradinaj ka deklaruar se partneriteti i ngushtë i Kosovës me shtetin e Iowa-s është reflektim i marrëdhënieve të çmuara që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Partneriteti i ngushtë i Kosovës me shtetin e Iowa-s është reflektim i marrëdhënieve të çmuara që kemi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë merita të jashtëzakonshme ka komandati i Gardës Kombëtare të Iowa-s, Gjenerali Tymothy Orr, që për tetë vite ka qenë urë e fuqishme lidhëse për avancimin e bashkëpunimit të gjithashëm ndërmjet dy vendeve tona, posaçërisht në fushën e mbrojtjes. Gjenerali Orr, me miqësinë e tij të dëshmuar për vendin tonë, ka siguruar vendin e nderit në kujtesën shtetërore të Kosovës. Kosova do të jetë përjetë shtëpia e dytë e Tij. Falemnderit Gjeneral!”, ka deklaruar ai.

Vizita e Orr-it ishte paraparë të realizohej në fillim të këtij viti, megjithatë Qeveria amerikane kishte marrë vendim që të anulojë vizitën e gjeneralit amerikan, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës, për vendosje të taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Gjatë ditës ai është takuar me kreun e shtetit, Hashim Thaçi dhe me kreun e Kuvendit, Kadri Veseli./21Media