Haradinaj: Pas vendosjes së taksës, janë rritur prodhimet vendore

Shala: Qeveria është e përkushtuar në mbështetjen e prodhimeve “Made in Kosovo”

Kryeministri, Ramush Haradinaj ka inkurajuar prodhuesit kosovarë për krijimin e lidhjeve të bizneseve për promovim të produkteve vendore dhe potencialin ekonomik në vend.

“Ne e kemi për qëllim zvogëlimin e importit të produkteve ose zëvendësimin e produkteve. Taksa 100 përqind nuk duhet parë si mundësi për rritje të çmimeve, por mbështetje për prodhuesit”, ka thënë Haradinaj me rastin e hapjes së panairit Agrobiznes “Shporta jonë” të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Ai ka shtuar se janë rritur prodhimet vendore që prej vendimit të vendosjes së taksës ndaj produkteve me origjinë të Serbisë.

Ministri i MTI-së, Endrit Shala me qëllim të promovimit të produkteve të Kosovës ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë prodhimet vendore.

“Ne si Qeveri jemi të përkushtuar për mbështetjen e prodhimeve “Made in Kosovo”, për nevoja të Kosovës dhe për eksport”, ka thënë Shala.

Ai ka shtuar se një ndër prioritet është edhe rritja e cilësisë së produkteve vendore.

Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi ka thënë se në këtë panair do të shfaqet potenciali i ekonomisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës nga 21 nëntori i këtij viti ka miratuar vendimin për ngritjen e taksës në 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe BeH. Ky vendim ngjali shumë reagime edhe nga bashkësia ndërkombëtare ndërkohë serbët në veri të Mitrovicës kanë protestuar disa herë kundër kësaj takse.

Back to top button