"Unë kam apeluar te qytetarët serbë të ruajnë qetësinë”

“Unë kam apeluar te qytetarët serbë të ruajnë qetësinë”

Në fillim të mbledhjes së qeverisë, kryeministri i vendit Ramush Haradinaj u deklarua në lidhje me operacionin e sotëm policor në Kosovë. Haradinaj tha se me urdhër të prokurorit është realizuar operacioni policor i arrestimit dhe bastisjes, të arrestimit të personave të dyshuar për korrupsion.

Ai shtoi se i njëjti operacion është shtrirë edhe në disa vende të tjera të vendit, përfshirë Drenasin dhe Prizrenin.

“Urdhri i prokurorit ka qenë arrestim, por edhe disa bastisje në disa raste. Ka filluar sot në mëngjes dhe është zhvilluar në bazë të ligjit. Në zonat e caktuara operacioni ka shkuar qetë, por në Zubin Potok ka pasur kundërshtim të operacionmbledhja it. Policia e Kosovës nuk ka përdor forcë të tepruar. Kemi disa qytetarë të plagosur, por edhe qytetarë të arrestuar, një prej tyre është rus. Unë kom apeluar te qytetarët serbë të ruajnë qetësinë”, deklaroi Haradinaj.

Ai foli edhe për reagimin e krerëve serbë, ndërsa shtoi se Ushtria e Kosovës nuk ka qenë e përfshirë në këtë operacion.

“Kom pa reagime edhe nga Serbia, kom apeluar që të mos minohet tendenca e Kosovës, për sundimin e ligjit. Duhet të bëjmë kujdes në qëndrimet tona. Ushtria nuk ka qenë e kyçur se nuk është puna e saj”, tha Haradinaj.

Ndërsa, Prokurori special, Sylë Hoxha deklaroi se prokuroria ka filluar veprimet që nga prilli i vitit të kaluar.

“Prokuroria Speciale e Kosovës i ka filluar veprimet procedurale qysh nga prilli i vitit të kaluar, ndaj disa personave të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, krim të organizuar, kontrabandim me mallra, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti e kështu me radhë. Gjatë kësaj periudhe në bashkëpunim me hetues të Inspektoratit dhe Policisë kemi kryer shumë veprime procedurale. Kemi marrë urdhëresat e Gjykatës Themelore dhe në bazë të tyre hetuesit kanë vepruar në terren. Pas këtij aktiviteti, thuajse njëvjeçar, Prokuroria pasi grumbulloi provat parashtroi kërkesë te Gjykata Themelore në Prishtinë, për një kërkesë për kontroll të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse të këtyre të dyshuarve. Kemi eprorë policorë të arrestuar, zyrtarë të policisë, pjesëtarë të nacionalitetit serb, shqiptar e boshnjak. Në mesin e të dyshuarve kemi edhe qytetarë, jo zyrtarë, që kanë kryer veprimet e tyre për çka dyshohet, për kontrabandim të mallrave dhe veprat e ngjashme”, tha ai.

Operacioni i sotëm policor u shtri në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat: Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë Veri, Mitrovicë Jugu, Skenderaj dhe Drenas. Gjatë këtij aksioni, përveç hasjes në rezistencë të armatosur në Veri të Mitrovicës, polici hasi edhe në disa bllokada të rrugëve, të cilat penguan qarkullimin e mjeteve zyrtare, me ç’rast u përdoren mjetet e nevojshme për lirimin e rrugëve, me qëllim të vazhdimit të operacionit policor./21Media