Shemsedin dhe Isah Abazi humbën jetën si pasojë e tërmetit në Shqipëri

Shemsedin dhe Isah Abazi humbën jetën si pasojë e tërmetit në Shqipëri

Për ngushëllime në familjen Abazi nga Livoçi i Gjilanit, ka shkuar edhe kryeministri i Kosovës në detyrë, Ramush Haradinaj, duke premtuar se institucionet e vendit do t’i qëndrojnë pranë familjes Abazi.

Haradinaj u shpreh se këtë vizitë e bëri për të për ndarë dhimbjen për humbjen tragjike të dy vëllezërve, Shemsedin dhe Isah Abazi, nga tërmeti që goditi Shqipërinë.

“Institucionet e vendit do t’i qëndrojnë në krah familjes Abazi, në përballimin e kësaj humbjeje kaq të madhe. U qoftë i lehtë dheu i Kosovës, Shemsedin dhe Isa Abazi!”, ka thënë Haradinaj.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi gjithashtu zhvilloi një vizitë ngushëlluese në familjen Abazi në Komunën e Gjilanit.

Pas shprehjes së ngushëllimeve të atit dhe familjarëve të tjerë, ambasadori i bëri me dije vendimin e sotëm të qeverisë shqiptare për ta ndihmuar familjen Abazi me shumën prej 16.000 euro.

Familjarët e vlerësuan këtë akt, ku i ati i viktimave u shpreh se “Falënderoj qeverinë shqiptare që nuk i ndau fëmijët e mi dhe nga viktimat e tjera”.

Në këtë vizitë, ambasadori u shoqërua nga kryetari i Komunës Lutfi Haziri si dhe nga anëtarë të Këshillit Komunal të Gjilanit.

Ndërsa kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari ka njoftuar se do të vizitojë familjen Abazi në Liqovë të Epërm nga Gjilani, me ç’rast familjes do t’i dhurohen 5,000 euro.

Tërmeti i ditës së martë me magnitudë 6.4 ballë mori jetën e 50 personave.

Në prill të vitit 1979, një tërmet me magnitudë 6.9 ka goditur Shqipërinë dhe shtetin fqinj, Malin e Zi, duke lënë 136 persona të vdekur dhe më shumë se 1 mijë të lënduar./21Media