"Kosova ofron një vlerë të shtuar modeste për paqe"

“Kosova ofron një vlerë të shtuar modeste për paqe”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë vizitës zyrtare në Berlin, ishte pjesëmarrës edhe në Konferencën “Takimet Ndërkombëtare”.

Në këtë konferencë Haradinaj ka thënë se më 1999, Perëndimi e ka shpëtuar Kosovën nga tragjedia, jo për interes politik apo ekonomik, por sepse ishte e drejtë për të bërë për hir të njerëzimit dhe paqes.

Më tutje ai ka thënë se Kosova ende ka nevojë për mbështetjen e demokracive perëndimore, për të arritur marrëveshjen përfundimtare me Serbinë, në kufijtë ekzistues.

Këtë e ka bërë të ditur i pari i Qeverisë përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në Gjermani pas takimit të parë që pati në Berlin me deputetët gjermanë, ai u takua edhe me kancelaren gjermane, Angel Merkel, me të cilën ka biseduar për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova, për zhvillimet politike dhe ekonomike, progresin dhe sfidat me të cilat po përballet Republika e Kosovës në këto 11 vjet të shtetndërtimit, si dhe për perspektivën evropiane dhe euroatlantike të Kosovës. Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, duke e cilësuar Kosovën si palë serioze në proceset integruese, tha se Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, si dhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat e interesit reciprok.

I pari i Qeverisë ka mbërritur dje në Berlin, ku është pritur me një ceremoni ushtarake. Ai do të qëndrojë në Berlin deri nesër, ku mëngjesin do ta nisë me pjesëmarrjen në Lutjet e Mëngjesit, ndërsa më pas do të vazhdojë takimin me deputetët e CDU-së, Peter Beyer, Christian Schmidt,Dr. Johann Wadephul./21Media