Haradinaj për ushtrinë: Po shkojmë me hapa të sigurtë

Një vit nga miratimi i ligjeve të FSK-së

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në njëvjetorin e miratimit të ligjeve për FSK-në vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe pranoi nga ministri Rrustem Berisha raportin njëvjeçar të punës. Ai vizitoi edhe klubin e oficerëve të cilëve u tha se të gjithë ata do të jenë krenarë me vendimin që kanë marrë për të qenë ushtarë dhe që t’i shërbejnë vendit.

“Kosova funksionon edhe në partneritet, çështja e mbrojtjes është çështje që e ndan së bashku me misionin e NATO-s në Kosovë(KFOR-in). Besoj që sot pas një viti mund t’iu  premtojmë qytetarëve të Kosovës, partnerëve, që po shkojmë në hapa të sigurt, në drejtim të duhur dhe po i arrijmë objektivat e deklaruara një vit më herët. Ne jemi në dinamikën e duhur dhe sigurt po ecim”, tha Haradinaj.

Haradinaj i ndau medaljen ‘Gjergj Kastrioti-Skënderbeu’ komandantit të FSK-së, gjeneralejtnantit Rrahman Rama, përmes së cilës tha se i nderon të gjithë ushtarët. Ndërsa, Rama tha se medaljen ua dedikon të gjithë FSK-së.

Më 14 dhjetor 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar transformimin e Forcës së Sigurisë në Ushtri të Kosovës. Janë miratuar tri ligjet për FSK-në: Ligji për Ministrinë e Mbrojtes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për shndërrimin e FKS-së në Ushtri.

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është themeluar në vitin 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit. FSK është ngritur nën mbikëqyrjen e NATO-s, ndërsa paraprakisht me përfundimin e luftës ishin formuar Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK). Transformimi i FSK-së në ushtri erdhi 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Back to top button