Shënohet 21 vjetori i rënies së Ismet Jasharit

Shënohet 21 vjetori i rënies së Ismet Jasharit

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj në 21 vjetorin e rënies së Ismet Jasharit ka kujtuar ardhjen e tij nga Kumanova për ta mbështetur lirinë dhe çlirimin e Kosovës.

Haradinaj gjithashtu  ka kujtuar të gjithë dëshmorët e Brigadës 121 të Zonës Operative të Pashtrikut, që me krenari mbajti emrin e komandant Kumanovës.

“Kujtojmë betejat dhe përpjekjet e kësaj brigade të lavdishme, në mbrojtje të pozicioneve të luftës dhe popullatës së zhvendosur në Malet e Berishës dhe dëshmorët që ranë në ofensivat e gushtit, Habib Zogaj, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Afrim Buçaj, dhe Zenun Mataj nga Baballoqi. Lavdi e përjetshme”, ka thënë ai përmes një shkrimi në “Facebook”.

Ismeti ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ky fond u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit të vitit 1998, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, në altarin e atdheut, në Luzhnicë, bie trimi ndër më të dalluarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari – Komandant Kumanova. Në altarin e atdheut kishin rënë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj. Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë, të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova./21Media