Haradinaj premton fond për investime në sektorin privat

Ai tha se qeveria e tj do t’i përkrahë ndërmarrjet e vogla she të mesme

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj sot në Vushtrri ka premtuar fond për investime në sektorin privat, bizneset e vogla dhe ato të mesme.

“Shumica e punësimeve në Kosovë ndodhë në bizneset e reja, të vogla dhe të mesme, por ato nuk po rriten, nuk po zhvillohen”, ka thënë Haradinaj përmes një shkrimi në facebook.

Sipas tij roli i bizneseve në Kosovë është jetik për shkak të rëndësisë që kanë në zhvillimin ekonomik dhe në jetën e përditshme.

“Qeveria ime do t’i përkrahë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që ato të mund të rrisin dhe zgjerojnë veprimtarinë e tyre – jo vetëm me fjalë, por me vepra. Pikërisht, për këtë do ta krijojmë Fondin për investime për sektorin privat. Përmes këtij Fondi synojmë punësimin, zhvillimin dhe rritjen e bizneseve të vogla dhe të mesme në vend”, ka thënë kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj.

Ai ka shtuar se përderisa do ta fuqizojnë dhe rrisin sektorin privat do t’u japin mbështetje bizneseve, gjithashtu do t’i rrisin pagat në sektorin publik për 30%.

“Jemi bërë bashkë për Kosovën, për qytetarët e Kosovës, për tu zhvilluar fuqimisht, për të marr vendime të guximshme dhe të ecim përpara drejt e sigurt”, ka thënë Haradinaj./21Media

Back to top button