Haradinaj: Italia në vazhdimësi ka mbështetur perspektiven tonë të integrimit

Haradinaj: Italia në vazhdimësi ka mbështetur perspektiven tonë të integrimit

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Lorenzo Guerini.

Duke vlerësuar lart marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale mes dy vendeve tona, kryeministri në detyrë Haradinaj ka uruar që këto marrëdhënie të thellohen edhe më tej në të ardhmen dhe ka falënderuar shtetin e Italisë për gjithë angazhimin por edhe përkrahjen dhënë Kosovës në procese të ndryshme, shumë të rëndësishme për vendin.

“Si mike e Kosovës, Italia në vazhdimësi ka mbështetur perspektiven tonë të integrimit dhe ka qenë afër nesh në proceset jetike për konsolidimin dhe shtetbërjen e Kosovës”, është shprehur kryeministri në detyrë, Haradinaj, derisa njëkohësisht e ka njoftuar ministrin e Mbrojtjes të Italisë, Lorenzo Guerini për progresin por edhe sfidat me të cilat po përballet Kosova, veçanërisht në sferën politike dhe për të arriturat në sferën e sigurisë në vend.

Haradinaj, po ashtu ka theksuar se është më së i nevojshëm krijimi i institucioneve të Kosovës sa më shpejtë që të jetë e mundur në mënyrë që proceset që kanë ngecur të ecin përpara.

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes i Italisë, Lorenzo Guerini, ka falënderuar kryeministrin në detyrë, Haradinaj, për mikpritjen dhe bashkëpunimin e deritashëm mes Kosovës dhe Italisë, derisa ka shprehur gatishmërinë që këto raporte të zgjerohen edhe më shumë në të mirën e një partneriteti të mirëfilltë./21Media