Nis festivali “T’i këndojmë lirisë”

Nis festivali “T’i këndojmë lirisë”

Me himnin kombëtar ka filluar festivali “T’i këndojmë lirisë” në fshatin Çabiq të Klinës, kushtuar komandantit Mujë Krasniqi.

I pranishëm ishte kryeministri Ramush Haradinaj, i cili ka kujtuar sakrificën e madhe të heronjve për liri. Ai po ashtu ka thënë se për t’i kënduar sot lirisë, njerëzit dikur kanë dhënë jetën.

“Ne po bëjmë atë që dikur për me e bë është dasht me e dhanë jetën, pra imagjinoni sa sakrificë e vogël është sot e sa pak jemi duke dhënë nga vetja jonë. Në mënyrë që t’i këndohet lirisë sot, dikur njerëzit kanë dhënë jetën, në mënyrë që të kemi muzikën, kulturën, artin, vlerat tona kombëtare e t’i gëzojmë lirshëm” , ka thënë Haradinaj.

Fjalë të mëdha për Krasniqin, i njohur edhe me nofkën “Kapuçi”, patën edhe kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj dhe përfaqësuesi i fshatit, Zekë Gashi.

Festivali që mbahet në vendlindjen e dëshmorit do të zgjasë tri ditë rresht, kurse në mbrëmjen e sotme fillon nata e parë konkurruese e manifestimit.