"Raportet tona me partnerët kanë për bazë sinqeritetin"

“Raportet tona me partnerët kanë për bazë sinqeritetin”

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka konsideruar si të shenjtë miqësinë me aleatët perëndimor.

Sipas tij falë këtyre raporteve janë marrë disa vendime të rëndësishme për Kosovën gjatë qeverisjes së tij.

“Miqësia me aleatët perëndimor, për mua dhe AAK-në është e përhershme dhe e shenjtë. Raportet tona me partnerët kanë për bazë sinqeritetin, jo servilizmin. Falë një marrëdhënie të këtillë, Kosovës iu besua krijimi i Ushtrisë, u ndalua copëtimi i Kosovës, u finalizua pronësia mbi Trepçën 100 % Kosovës, si dhe tema të tjera. Servilëve, udha e mbarë!”, ka shkruar ai në Facebook.

Në anën tjetër,  Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli për dy ditë rresht në Facebook është shprehur se më zgjedhje qytetarët do të vendosin nëse aleatët do të trajtohen si miq apo armiq.

“Një nga temat për të cilat qytetarët do të duhet të vendosin në zgjedhjet e ardhshme është nëse Kosova do të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet e saj të veçanta me aleatët tanë apo do t’i trajtojë partnerët tanë si të ishin armiq dhe të përpiqet të mbijetojë e vetmuar”, ka shkruar Veseli dje në llogarinë e tij Facebook, pas takimit me ambasadorin britanik, Ruairí O’Connell dhe atë kroate Marija Kapitanoviq që po përfundojnë mandatin e tyre në Kosovë.

Të njëjtën gjë ai e ka thënë po në Facebook dy ditë më parë.

Zgjedhjet priten të mbahen në fund të muajit shtator apo në fillim të muajit tetor./21Media